Flash News


KRYESORE

Tirana në ‘flakë’ nga protesta për Klodianin, sulmohen disa institucione, FNSH ndërhyn me ujë e gaz lotsjellës

Tirana në ‘flakë’ nga protesta për Klodianin,

Për të dytë ditë radhazi, Tirana është dominuar nga protesta për vrasjen 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i ‘Shqiponjave’.

Prej orës 18.00, qindra protestues, kryesisht të rinj kanë dalë në rrugët e Tiranës, ndërsa ndryshe nga dita e djeshme autoritetet e rendit ishin sot më të përgatitur dhe me masa të shtuara kryesisht në hyrje të institucioneve përgjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

Ndonëse kryeministri Edi Rama njoftoi në minutat e para të nisjes së protestës se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte dorëzuar dorëheqjen, ky fakt u duartrokit prej tyre, por sërish nuk u pa asnjë lloj tërheqje prej tyre, edhe pse prej ditësh ata kanë kërkuar një akt të tillë.

Protesta është shoqëruar me tensione dhe incidente të shumta, ku dhe është dashur ndërhyrja e policisë dhe efektivëve të FNSH-së.

Ndryshe nga protestat e mëparshme në Tiranë, ata nuk kanë patur një organizim dhe itinerar të qartë. Ata janë shpërndarë në disa pika në kryeqytet, duke nisur fillimisht te ministria e Brendshme. Një grupim prej tyre sulmuan muzeun e Tiranës dhe më pas derën e Ministrisë së Financave.

Sakaq, në shumë rrugë të Tiranës u hodhën përtokë tabelat e sinjalistikës rrugore, u dogjën koshat e mbeturinave, dhe më pas rrëzoheshin në rrugë duke krijuar bllokim të qarkullimit.

Në rrugën Myslym Shtyri dhe përballë Drejtorisë së Policisë pati përplasje me policinë, ku dhe u bënë edhe disa shoqërime. Më pas u zhvendosën në rrugët e ish-Bllokut për të dalë më pas të kryeministria.

Mediat e pranishme kanë fokusuar edhe momente kur ndaj protestuesve është përdorur dhunë nga efektivë të FNSH-së, madje nga përdorimi i shkopit të gomës një i ri u gjakos në pjesën e pasme të kokës.

Policia ka përdorur herë pas herë gaz lotsjellës dhe ujë me presion me autobote për të shpërndarë turmën.

Protesta e sotme i ka kaluar kufijtë jo vetëm në Tiranë, por ka patur reagime edhe nga shqiptarë në Londër.

 

Të fundit