Flash News

OP-ED

Kush ka frikë nga listat e hapura?

Kush ka frikë nga listat e hapura?

Alfred Lela

Një pretendim, gjuha e të cilit ka spikatur posaçërisht në gojën e Damian Gjiknurit, thotë se listat e hapura do të lejonin futjen në parlament të elementëve problematikë, të fortëve të zonave etj. Ti e beson këtë, derikur kthen kokën pas te dy parlamentet e shkuara dhe kupton banalitetin, mediokritetin dhe kriminalitetin e tyre dhe thua se jemi keq, po a mundet vërtetë të ketë edhe më keq?

Shefi i tij, kryeministri Rama ka ngulmuar gjithashtu në disa debate parlamentare se është kundër listave të hapura, por po e bën si lëshim për opozitën ‘e re’. Shumë personazhe të politikës, në të dy krahët, kanë mbështetur parimin e listave të hapura duke i shoqëruar ama me shumë por-e…

Është i saktë argumenti cinik se, jo gjithçka i duhet lënë në dorë popullit, siç mund të thuhet e kundërta se, jo çdo gjë i duhet lënë në dorë kryetarëve të partive. Sistemi aktual, jo vetëm zgjedhor, por edhe shoqëror, është prodhim direkt i kryetarokracsië, një lloj regjimi ku të parët e partive me yesmen-ët e tyre kanë krijuar një hierarki me disa pak krerë të cilët i kanë shndërruar forcat politike në sipërmarrje ekonomike dhe interesash të ngushta, më shumë se idesh dhe programacioni të zhvillimit shoqëror dhe politik.

Partitë kanë qenë kryesisht, jo përherë- duke përjashtuar Nanon dhe 2005-ën e Berishës, unitete kastash klanore, monetare dhe familjare, të shtrira në shoqëri përmes tentakulash, jo lidhjesh të bazuara te komunitarja. Kjo ka krijuar struktura monolite që janë shkërmoqur përkohësisht vetëm kur janë ndërruar kryetarët dhe pak pas kësaj janë bunkerizuar sërish. Duke mbyllur partitë kryetarët kanë mbyllur edhe shoqërinë, duke shkëputur apo shpërfillur lidhjet me komunitetet dhe duke i zëvendësuar ato me raportet me krerë fisesh, të fortë apo bejlurçina zonash.

Kjo ka krijuar atë vakuum pesha e rëndë e të cilit ngrihet sot mbi qiellin politik. Njerëzit, edhe pa e ditur se çfarë kërkojnë, duan lista të hapura. Ata nuk pjerdhin për konceptin listë, por duan të shfuqizojnë një fuqi të papërcaktuar, që në filmin e kokës së tyre vjedh pasuritë, sovranitetet she shpresat duke u lënë vetëm mungesat. Duke e ditur këtë Rama organizoi operacionin perfid të ‘hapjes së listave’ duke i mbyllur ato. Ai përsëriti se do t’i hapte listat dhe shfrytëzoi teknikalitete duke e bërë të pamundur që njerëzit ta shfuqizonin vendimmarrjen e tij absolute. Matematika që i duhet një kandidati në ‘listat e hapura’ as që mund të bëhet nga njerëzit e thjeshtë. Te ta gjëmon vetëm daullja e propagandës qeveritare ‘i hapëm listat’.

Pyetja bëhet, a është i interesuar edhe kryetari rival Basha për këtë hapje të listave duke i mbyllur? Ndërsa është e vështirë për të dhënë një përgjigje të prerë, mund të përvijohet logjika e faktit se, edhe Basha ka qenë bashkëautor i kryetarokracisë. Diversioni se mes Ramës dhe Bashës ka një pakt nuk qëndron, por mund të qëndrojë fare mirë pajtimi në heshtje për një ‘rimodelim’ që u lejon të vazhdojnë me modelin ku ata vetë janë të parët.

Ilir Meta duket se është në mes të kësaj, gjykuar nga deklaratat apo ‘lajmet’ e rrjedhura në media, dhe paradoksi shqiptar kështu e ka. Sa e sa herë nxjerr Ilir Metën për të shpëtuar demokracinë (edhe pse ndoshta duke patur më mendje interesin e vet).

Të fundit