Flash News

KRYESORE

Pjesë e dosjes ‘184’/ PD ‘tërhiqet’ për Damian Gjiknurin, përfaqësuesit e opozitës i shtrëngojnë dorën

Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar jashtëparlamentare ka nisur sot negociatat e para për gjetjen e një rrugëdalje për miratimin e Reformës Zgjedhore.

Kreu i PD, Lulzim Basha doli para gazetarëve pas një mbledhje me aleatët se ka mandatuar dy përfaqësues, Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për dakordësim me palën tjetër, konkretisht Damian Gjiknurin, nën cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit te Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësues i PS, si dhe Rudina Hajdarin, po ashtu bashkëkryetar e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësuese e opozitës parlamentare.

Një ndër pikat e insistuara nga opozita është ‘hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive’, çka risjell në vëmendje se PD ka përsëritur vazhdimisht se nuk e njeh Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke e cilësuar si ‘pa legjitimitet dhe produkt të zgjedhjeve të diktuara gjerësisht nga krimi i organizuar dhe blerja e votave me paratë e pista të krimit”.

Në një prej reagimeve të PD, ishte sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ai i cili shprehej se: “Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore.

"Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, duke shtuar se “Personat, subjekt i hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/1/2017 të Prokurorisë për Krimet e Rënda, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore, për të cilën ka nevojë vendi”, teksa i referohej ish ministrit Gjiknuri të përmendur në përgjimet e revistës gjermane ‘Bild’, për manipulimin e votave në qarkun e Dibrës.

Në reagimet e PD-së, është vënë re edhe kundërshtimi ndaj pjesëmarrjes në Komision të Rudina Hajdarit dhe deputetëve të opozitës së re të Kuvendit. Hajdari është edhe ndër deputetet që nuk pranoi të djegë mandatin në bllok me pjesën tjetër të opozitës së bashkuar në shkurt të 2019.

Megjithatë, duket se këto ‘inate’ janë lënë pas me 2019-ën dhe kanë nisur një 2020-të me tone të zbutura.

Siç duket edhe nga fotot e LSA, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kanë shtrënguar duart janë parë duke qeshur me Damian Gjiknurin.

Të fundit