Flash News

POLITIKOFF

Vota kundër Rusisë/ Rama i bën ‘avokatin’ Serbisë, por e nxjerr blof vetë Vuçiç

Vota kundër Rusisë/ Rama i bën ‘avokatin’

Një ditë më parë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pezulloi Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut (HRC) pas shfaqjes së provave për ato që janë cilësuar si mizori masive të kryera nga forcat e Moskës në Ukrainë.

Në votim, 93 vota ishin pro dhe 24 kundër, kurse 58 shtete abstenuan. Ajo që ra në sy ishte vota e Serbisë, e cila votoi pro pezullimit, fakt që u përmend menjëherë edhe nga kryeministri Edi Rama në reagimin e tij në twitter pak pas vendimit.  

Sipas Ramës, vota pro e Serbisë është lajm i mirë për rajonin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, shkroi Rama.

Edhe më 2 mars, në OKB u votua kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Rama shkruante për votën e Serbisë “kundër Rusisë”, duke thënë se kjo “unifikon e Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”.

“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës!Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah!Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”, thuhet në postimin e plotë të Ramës.

Pavarësisht qasjes së Ramës për ta paraqitur Serbinë si pro Perëndimit dhe kundër Rusisë, është vetë presidenti serb  Aleksandar Vuçiç, ai i cili e kundërshton.   

Në një intervistë për RTS, Vuçiç deklaronte se Serbia ka qenë nën presion për të votuar pro pezullimit, pasi kishte dashur të abstenonte votimin.

“Vendimi ynë ka qenë që të jemi të përmbajtur, dhe pastaj ju vijnë presione të panumërta, të rënda që nuk kanë të bëjnë me anën personale. Askush nuk më ka ardhur dhe nuk më ka thënë, as më ka shantazhuar, por po shantazhojnë vendin… Thoshin ‘A e dini se sot apo nesër do të vendoset nëse do të përjashtohemi nga pakoja e sanksioneve  për naftën”, tha Vuçiç.

Përpjekjet e Ramës për të treguar se rruga që është duke ndjekur për Ballkanin e Hapur bashkë me Serbinë, nuk është një drejtim i gabuar, tregojnë të kundërtën në raport me luftën ruso-ukrainase.

Kujtojmë se Serbia, bashkë me Bjellorusinë janë të vetmet shtete më Evropë që nuk i kanë vënë sanksione Rusisë, por ky fakt nuk përmendet nga Rama.

Po ashtu, ‘The Guardian’ shkroi disa javë më parë se Serbia po shfrytëzohet nga Rusia si një ‘portë’ për të udhëtuar drejt Evropës, pasi Bashkimi Evropian e bllokoi hapësirën ajrore për Rusinë.

Pak ditë më parë, Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar homologun e tij serb  Vuçiç pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ndërsa i kërkonte forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve.

Të fundit