Flash News

KRYESORE

PS tërhiqet nga shkarkimi i Metës, a ishte i paralajmëruar ‘reflektimi’ i mazhorancës?

PS tërhiqet nga shkarkimi i Metës, a ishte i paralajmëruar

Partia Socialiste është tërhequr nga shkarkimi i presidentit Ilir Meta në mbledhjen e Komisionit Hetimor.

Relatorja Klotilda Bushka pasi prezantoi raportin prej 76 faqesh mbi gjetjet e hetimit dhe shkeljet e konstatuara ndaj presidentit Ilir Meta, sa i takon shtyrjes me dekret të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, apo ngërçit të krijuar për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, doli në konkluzionin se presidenti ka kryer shkelje, por aq sa ta çojnë kreun e shtetit drejt shkarkimit.

Por a ishte i paralajmëruar në një lloj mënyrë ky qëndrim i mazhorancës, që në komision përbëhet nga kryetari i komisionit Ulsi Manja, Bashkim Fino, Klotilda Bushka, Vasilika Hysi, Alket Hyseni?

Pak ditë më parë, në 13 korrik, kryetari i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja në një intervistë për Report Tv pranoi se ka pasur një reflektim institucional nga ana e presidencës për ngërçin në Kushtetuese, ndonëse insistoi se presidenti shkeli të drejtën e zgjedhësve për të votuar me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nëse i referoheni opinionit final të Komisionit të Venecias lidhur me Gjykatën Kushtetuese ka një reflektim institucional të palëve për të zhbllokuar Gjykatën Kushtetuese si një nga kriteret për në BE. Dhe kur them ka reflektim do të thotë KED, Kuvendi dhe Presidenti, nën frymën e atij opinion dhe atyre rekomandimeve do duhet të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Manja.

Ai u pyet nëse ky qëndrim i zbutur ndaj presidentit do të reflektohej në një vendim për të mos e shkarkuar?

E thënë më qartë, Komisioni Hetimor, në raportin e vet për seancën plenare do evidentojë të gjitha shkeljet e konstatuara në rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, por edhe të situatës me Gjykatën Kushtetuese”, tha Manja.

Nga ana tjetër, edhe sipas raportit final, Komisioni i Venecias konstatoi se Meta ka vepruar drejt kur ka pezulluar procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të një anëtari të Kushtetueses.

Sa i preket procedurës së betimit, Komisioni i Venecias thekson se sipas Kushtetutës së Shqipërisë betimi para presidentit është i detyrueshëm dhe  parakusht për të marrë detyrën.

Meta akuzohet për shkelje të Kushtetutës për shkak të anulimit të dekretit të zgjedhjeve lokale të 30 qershor, si dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Sinjalet e armëpushimit Rama-Meta

Ndonëse gjatë këtyre ditëve janë shtuar tensionet për shkak të ndryshimeve kushtetuese të miratuara në Këshillin e Legjislacionit, në muajt e fundit, presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama nuk u kanë shpëtuar aludimeve në media për një “pranverë” të re mes tyre, pas akuzave dhe “luftës” politike në distancë.

Kjo nisur edhe nga “lëshimet” që janë vërejtur për disa çështje si:

Propozimi i Metës për kreun e KLSH

Mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë pranoi pas tri refuzimesh propozimin e presidentit, për kreun e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu.

Në komision, emri i Shehut, një emër më pak i njohur se tri kandidaturat e para, u vota me 15 vota pro, dy kundër dhe një abstenim.

Kujtojmë se më herët, shumica i kishte ‘rrëzuar’ kandidaturat e Metës si Vitore Tushën, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon për drejtuesin e KLSH, që deri tani është mbajtur nga Bujar Leskaj.

Kjo dakordësi u lexua ndryshe edhe si një afrim i radhës mes dy krerëve të lartë.

"Dvorani"

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me shumicë votash shkarkimin e Ardian Dvoranit, si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Me këtë vendim, Dvorani humbi detyrën si drejtues i këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendim që vinte pas një beteje të gjatë mes tij dhe Presidentit, Ilir Meta. Madje, ky i fundit e ka akuzuar atë për vendime të njëanshme në favor të qeverisë gjatë proceseve për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Takim bërrylash”

Rama dhe Meta u panë të ulur në një tryezë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Para takimit, ata u fotografuan të buzëqeshur, pa shtrëngim duarsh, por me takime bërrylash për shkak të pandemisë.

Megjithatë, pak më vonë, kryeministri Rama e shpërndau në profilin e tij në instagram duke e komentuar si “Luftë bërrylash”, foton dhe raportet me presidentin.

Ndryshimet e Kodit Penal

Një tjetër moment paqeje mjaft e komentuar si ‘pranvera’ e re Rama-Meta ishte dekretimi i ndryshimeve në Kodin Penal, nismë e qeverisë për shkak të pandemisë Covid-19.

Duke komentuar veprimin e tij, presidenti deklaroi në atë kohë se ndryshimi ishte i nevojshëm, dhe nëse nuk do të jepte ‘ok’, qeveria sërish do miratonte ndryshimet.

Këto ndryshime parashikonin dënime me burg për të gjithë ata që kryejnë me dashje veprime duke përhapur koronavirusin.

Të fundit