Flash News

KRYESORE

“Rilindja” e tribalizmit politik

“Rilindja” e tribalizmit politik

Red Varaku

Në vitin 1995 , intelektuali francez Pascal Bruckner, në librin e tij “Tundimi i pafajësisë”, argumentonte se individualizmi i tepruar, paradoksalisht, e orientonte shoqërinë drejt tribalizmit.

Çfarë është tribalizmi?

Tribalizëm është ndarja e shoqërisë në “grupe individësh të komanduar nga një kryetar dhe të lidhur mes tyre nga një pakt social për të ndarë 'tepsinë', simbas ligjit të vendosur prej tyre”. Individualizmi modern, argumentonte Bruckner, vërtet e çliron individin nga kontratat dhe detyrimet shoqërore, por njëkohësisht i shton atij ankth, frikë dhe pasiguri, pra e bën atë të ndjehet më shumë i pasigurt në lidhje me mjedisin që e rrethon, kësisoj lehtësisht të manipulueshëm”. 

Pas rënies së regjimit komunist ethet e “individualizmit të tepruar”, të cilit Bryckner i referohej, rrëmbyen shoqërinë tonë duke dëmtuar rëndë kohezionin social, por njëkohësisht rikthyen tribalizmin politik si gjeneratorin kryesor të dinamikës dhe zhvillimit shoqëror. Ky tribalizëm risolli në kulturën politike shqiptare klanet dhe familjet kriminale, objektivi kryesor i të cilave është vetëm pushteti. Ky tribalizëm politik arriti kulmin me thirrjen për 'një aleancë të të gjitha qelbësirave'.

Rilindja Socialiste nuk ishte gjë tjetër vetëm se një mobilizim politik i këtyre klaneve dhe familjeve për marrjen e pushtetit. Ajo e ka rikthyer edhe njëherë Shqipërinë në epokën e errët të regjimit komunist, ku shteti nuk qeveriste, por sundonte nëpërmjet hanxharëve dhe kamzhikut, nëpërmjet intimidimit dhe krimit. Ky rikthim shënon një regres të rëndë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare që prej Rilindjes kombëtare.

Nga një ethos i sofistikuar moral, që e pati zanafillën te Rilindja Shqiptare, jemi rikthyer tek ethosi primitiv i tribalizmit klanor, i cili është tipar themelor i shoqërive të prapambetura dhe i regjimive autokratike. Rikthimi nën sundim përmes klaneve dhe familjeve kriminale është edhe halli më i madh i shoqërisë tonë. Nga një shoqëri, e cila pas rënies së regjimit mafioz komunist, sikur ishte rikthyer sërish te vlerat demokratike, jemi shndërruar në një shoqëri tribale ku mbizotërojnë instiktet shtazarake.

Zgjedhjet politike për klanet dhe familjet kriminale, nuk kanë asnjë lidhje me nevojën për një qeverisje të majtë apo të djathtë, dhe aq më pak me ndonjë ideologji politike. Zgjedhjet për ta nuk janë gjë tjetër vetëm se nevoja për rishpërndarjen e tepsisë së pushtetit, asgjë më shumë. Nëse njëri klan merr të gjithë tepsinë, atëherë grupet e tjera bëhen bashkë, krijojnë “aleancën e qelbësirave”, mobilizojnë “turmat” dhe e detyrojnë atë grup të rishpërndajë në mënyrë “proporcionale” tepsinë e pushtetit.

Për fat të keq kjo është fryma që i serviret shqiptarëve nga mëngjesi në darkë. Një frymë e cila po e degradon çdo ditë e më tepër shoqërinë duke e shndërruar atë në një xhungël ku mbizotëron ankthi, frika dhe pasiguria. Ky tribalizëm është sot problemi më i madh i shoqërisë sonë, si dhe arsyeja kryesore e largimit të shqiptarëve. Rikthimi te vlerat demokratike perëndimore, si dhe i kohezionit të shoqërisë as që duket në horizont dhe me ç’duket nuk do të jetë fare i lehtë.

Të fundit