Flash News

KRYESORE

Shkodër/ Arrestohet 29 vjeçari, vrau një person kur ishte me leje nga burgu (video)

Shkodër/ Arrestohet 29 vjeçari, vrau një person kur ishte me

Policia e Shkodrës arrestoi ditën e sotme një 29 vjeçar i shpallur në kërkim për vrasje. Në pranga ra Artan Koçeku, të cilit në momentin e arrestimit iu gjet një armë me fishek në fole. Ai akuzohet për vrasjen e ndodhur më datë 17 dhjetor të vitit 2017 ku mbeti i vrarë shtetasi Angjelin Shkambi.

Policia e Shkodrës njoftoi se 29 vjeçari gjatë operacionit për kapjen nga Forca e Posaçme "Shqiponjat", tentoi të largohet me vrap, por u neutralizua dhe shoqërua në komisariat. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" ndaj tij.

Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip "pistoletë" me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip "pistoletë".

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi Rr. D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale "Përkrahja e autorit të krimit" .

Koçeku akuzohet për vrasjen e Shkambit dy vite më parë, pas një konflikti për mosshlyerjen e një borxhi prej 30 mijë eurosh.

Në dhjetor të 2017-ës, ai kishte përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhje me armë”, por nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar e më pas kreu edhe vrasjen.

I njëjti person në vitin 2018 u përfshi në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga policia braktisi mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe mundi të largohet.

Të fundit