Flash News

OP-ED

Të zgjidhesh me thonj

Të zgjidhesh me thonj

Marsel Lela

E diela e 30 qershorit zbriti mbi Shqipëri ashtu siç zbresin të gjitha të dielat; me dëshirën e papërballueshme për t’i ikur të zakonshmes, diku larg këtij zhegu shpirtnxjerrës.

Por kësaj të diele nuk i arratisesh dot, sepse ajo ishte gjithçka përveçse e zakonshme.

Zgjedhjet vendore ishin kryefjala e kësaj dite, megjithëse asgjë për të zgjedhur nuk kishte.

Njerëz, kryesisht në moshë të thyer, nostalgjikë të frymës njëngjyrëshe që ofroi Partia Socialiste duke garuar e vetme në zgjedhje, punonjës administrate me detyrim-përcaktim paraqitje dhe të tjerë me dëshirë protagonizmi ju drejtuan qendrave të votimit që në orët e para të ditës.

Rrjetet sociale u kthyen në shesh beteje mes votuesve dhe atyre që i bojkotuan votimet duke i konsideruar ato moniste dhe një hap prapa për vendin.

Trendi i këtyre zgjedhjeve ishte padiskutim thoi. Shumë votues i bënë foto thoit të nxirë nga boja e votimit dhe e hodhën në facebook, për të treguar se ata e kryen veprën e tyre “demokratike”, dhe për “t’ju futur thonjtë në fyt” virtualisht atyre që nuk kishin shkuar të votonin.

Në mes tyre ishte edhe lideri historik i PS-së, Fatos Nano, i cili kishte ardhur, ashtu siç tha ai vetë, “për të shpëtuar vendin nga kthetrat e opozitës”.

Interesant ky mesazh i Nanos kur ishte pikërisht ai që solli nga Franca një palë “thonj të paprerë” që zaptuan dalëngadalë kryeqytetin, kryeministrinë dhe sot janë ngulur fort në të gjitha pushtetet dhe institucionet, përfshi edhe disa ndërkombëtarë.

Mediat  huaja na e treguan qartë se deri ku kishin depërtuar këto thonj, duke filluar nga media gjermane Bild me publikimin e përgjimeve të vjedhjes, manipulimit dhe shantazhit që zgjedhja e vetme e shqiptarëve sot kishte kryer në zgjedhjet e vitit 2016-2017, e duke përfunduar tek media amerikane që e paraqiti kryeministrin Edi Rama si një Kim Yong.

Në fund të ditës, pasi të gjitha llogaritë të jenë bërë dalim në përfundimin se alternativa e vetme që na ofruan këto zgjedhje ishte një parti që e nisi ngjitjen drejt pushtetit me “thonj të paprerë” dhe po e mbyll duke u kapur me thonj pas tij.

Nëse për ju që votuat sot triumfi më i madh ishte fotoja e thoit të nxirë në facebook, po Shqpërinë kush do ta shpëtojë nga kjo faqe e zezë?

Të fundit