Flash News

OP-ED

Video-editorial nga Alfred Lela: Butrinti, shitet/jepet me qira  

Video-editorial nga Alfred Lela: Butrinti, shitet/jepet me qira   

Më 18 korrik 2016 u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes ministres Mirela Kumbaro dhe drejtorit të AADF në Tiranë, e cila do të siguronte ndihmë financiare dhe legale për përfundimin e ligjit të ri të Trashëgimisë.

As Ministria e Kulturës dhe as Fondacioni nuk e kanë bërë publik tekstin e marrëveshjes. Kronikën e nënshkrimit të saj, po.

Marrëveshja i dha frytet dy vjet më pas.

Më 17 maj 2018, Michael Grannof, shefi i AADF ka qenë vetë i pranishëm në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, kur u miratua ligji për kalimin nën menaxhim të Butrintit, Fondacionit që ai drejton.

Agron Alibali, një jurist i së drejtës ndërkombëtare, me aktivitet në ShBA, e konsideron praninë e Granoff në Parlament “trysni të tërthortë”.

AADF është shkurtimi i Fondacioni i Zhvillimit shqiptaro-amerikan.

Për të qenë të ndershëm me lexuesin duhet të përmendim se AADF ka lënë disa shenja të mrekullueshme në Shqipëri, si Pazarin e Korçës, Pazarin e ri në Tiranë, Fonotekën ‘Marubi’ etj. Pavarësisht këtij rekordi pozitiv dyshimet mbeten.

Shqetësimi i ngritur nga juristë, studiues dhe arkeologë, ka të bëjë me paligjshmërinë e këtij projekti, si dhe me atë që quhet dorëzim i sovranitetit dhe identitetit kulturor.

Shqetësimi im është ky. Pse kemi një ‘shtet të madh’ si ky i z. Rama dhe sërish ua japim të tjerëve me PPP, koncensione dhe fondacione, punët, detyrat dhe kompetencat e shtetit?

Pse, kur Butrintin apo Teatrin e Operas, qeveria Rama do t’i japë në menaxhim privat, vazhdon të ekzistojë Ministria e Kulturës? Nëse kapacitetet, prioritetet, ngjarjet dhe vendet tona ta kulturës dhe trashëgimisë ua japim fondacioneve private të huaja, atëherë bie nevoja për Elva Margaritin dhe administratën e saj të fryrë.

Kryeministrit i duhet të vendosë: të mbajë Margaritin e ministrisë ose margaritarët e kulturës kombëtare. Opinioni publik, jam i sigurt, do të donte të mbante Butrintin, Teatrin Kombëtar, Apolloninë dhe të lëshonte me qera apo t’ia falte dreqit ministrat, pa iu dridhur qerpiku.

*PolitikOn/Off është emision i RTV Ora.    https://youtu.be/dUZZaPH62vM

Të fundit