Flash News

Ditari i Opozitës

Kush do sfidojë PS në Tiranë? PD paralajmëron 6-7 alternativa për kryebashkiakun e Tiranës

Kush do sfidojë PS në Tiranë? PD paralajmëron 6-7

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka deklaruar se opozita do të paraqesë shumë shpejt 6-7 kandidatë potencialë për garën për Bashkinë e Tiranës, nga të cilët do të zgjidhet emri përfundimtar.

Në një intervistë në “Ditarin e pasdites” në A2 CNN me Pandi Gjata, Xhaferri tha se procesi i negocimit do të mbyllet në kohë të shkurtër, ndërsa theksoi se kandidatët do të përfshijnë jo vetëm figura të PD-së, por edhe emra nga lista e 11 majit – mes tyre profesionistë, biznesmenë dhe përfaqësues të diasporës.

“Do të ofrohen 6 apo 7 emra që ne i kemi dhe më pas do të shihet kush përshtatet më shumë në mënyrë që të gjithë të jenë të përfaqësuar. Patjetër që duhet të bëjë një fushatë model, mbipartiake, me një administratë në hije. Emrat do të dalin, kush janë administratorët, kush do të zëvendësojë drejtorët e 5D, kush janë nënkryetarët”, u shpreh Xhaferri.

Ai theksoi se kandidati përfundimtar duhet të jetë i pranuar nga i gjithë spektri opozitar dhe të përfaqësojë një alternativë përballë qeverisjes aktuale në Tiranë.

Ndërkohë, më herët kryedemokrati Sali Berisha njoftoi se tre zyrtarë të PD-së, Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Ilir Alimehmeti, do të angazhohen në procesin e negociatave për përzgjedhjen e kandidatit.

Të fundit