Flash News

E-TJERA

Raporti i zi i DASH për Shqipërinë: E mbërthyer nga korrupsioni, pastrimi i parave dhe ekonomia informale

Raporti i zi i DASH për Shqipërinë: E mbërthyer nga

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (shtator 2025) për klimën e investimeve në Shqipëri thekson se pavarësisht stabilitetit ekonomik dhe rritjes së turizmit, vendi mbetet i ekspozuar ndaj problemeve strukturore që frenojnë zhvillimin dhe largojnë investitorët.

Ekonomia dhe investimet

Në vitin 2024, Shqipëria shënoi një rritje prej 4%, me inflacionin që zbriti në 2.2% dhe borxhin publik që ra në 55% të PBB-së. Investimet e huaja direkte (IHD) arritën nivel rekord prej 1.71 miliardë dollarësh, të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, banka, industri nxjerrëse dhe përpunim. Megjithatë, DASH nënvizon se rritja është e brishtë dhe e varur nga sektorë të kufizuar, ndërsa produktiviteti dhe konvergjenca me ekonominë e BE-së mbeten të ulëta.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar

Raporti e rendit korrupsionin si pengesën kryesore për investime: nga gjykatat dhe prokurimet publike te administrata dhe media. Sipas tij, shumë kompani përballen me shantazhe, vonesa artificiale dhe kërkesa të paligjshme nga administrata apo grupe kriminale. PPP-të (koncesionet) përmenden si shembull tipik i mungesës së konkurrencës, shpesh të dizajnuara në favor të kompanive pranë pushtetit.

Të drejtat e pronës dhe pasiguria ligjore

Një tjetër problem madhor është prona: titujt e mbivendosur, manipulimet në gjykata dhe proceset e gjata të kompensimit e bëjnë Shqipërinë një terren të pasigurt për investime. Shumë raste kanë përfunduar në Gjykatën e Strasburgut, me vendime të pambatuara nga shteti shqiptar.

Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore

Raporti evidenton emigracionin masiv si plagën kryesore: rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare jeton jashtë vendit, duke krijuar mungesa serioze të punëtorëve, sidomos në turizëm dhe industri. Shumë biznese detyrohen të sjellin punëtorë nga Azia Juglindore. Papunësia zyrtare ka zbritur në 8.8%, por emigracioni e bën tregun vendas gjithnjë e më të varfër.

Reformat në drejtësi: progres me kosto

DASH vlerëson procesin e vettingut dhe punën e SPAK si hapa përpara, por thekson se korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të mbetet problem. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar apo dorëhequr për pasuri të pajustifikuara ose lidhje me krimin, duke lënë gjykatat me vakanca dhe dosje të prapambetura.

Në fund, raporti përmend se Shqipëria ka potencial për investime në energji, turizëm, bujqësi dhe teknologji, por korrupsioni, informaliteti, pasiguria e pronës dhe emigracioni e mbajnë vendin peng, duke bërë që investitorët ta shohin ende si një treg të vështirë e të rrezikshëm.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit