Flash News

E-TJERA

Strehimi i afganëve/ Hillary Clinton nderon me çmim Ramën, vlerësim për numrin e grave në qeveri

Strehimi i afganëve/ Hillary Clinton nderon me çmim Ramën,

Ish-sekretarja amerikane Hillary Clinton i ka dhënë kryeministrit Edi Rama çmimin e "Pionerit Global" në emër të shoqatës që drejton, "Vital Voices Global".

Ajo ka vlerësuar kontributin e Ramës për strehimin e refugjatëve afganë. Sipas saj, të njëjtin angazhim duhet ta merrnin dhe shumë udhëheqës të tjerë. Clinton u shpreh se Rama e kuptoi rëndësinë e këtij kontributi.

Ish-sekretarja tregoi dhe telefonatën me kryeministrin shqiptar, pasi afganët u strehuan në Shqipëri. Ajo bëri me dije se përgjigjja e Ramës ishte “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë".

Një tjetër vlerësim që Clinton i ka bërë Ramës, është zgjedhja e tij për të pasur sa më shumë gra në kabinetin qeveritar.

"Kësisoj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri.

Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje. Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte. Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë", tha ndër të tjera Clinton.

 

Latest news