Flash News

KRYESORE

I qethur zero pas arrestimit, zbulohet fotoja e rrallë e shkrimtarit Visar Zhiti

Shkrimtari, poeti dhe diplomati Visar Zhiti ka rrëfyer kalvarin e tij në bugjet komuniste. Në emisionin “Rrëfim” në TV Scan, Zhiti ka folur në lidhje me arrestimin e tij më 8 nëntor të vitit 1978.

Shkrimtari rrëfen se arrestimi i tij erdhi fill pas një shënimi që kishte bërë Ramiz Alia mbi një raport-informacion të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” ku Zhti kishte dërguar për botim një vëllim poetik.

Zhiti rrëfen momentin e arrestimit në mes të Kukësit, momentin e shoqërimit në Degën e Punëve të Brendshme, qethjen zero dhe më pas mbylljen në qeli. Ai ka publikuar edhe një foto të rrallë të asaj dite, shkrimtari ‘pozon’ me kokën e rruar.

“Në mesditën e 8 nëntorit të vitit 1978 teksa isha duke shëtitur me mikun tim, drejtorin e Teatrit të Kukllave, më hodhën hekurat dhe më arrestuan në mes të qytetit të Kukësit ku shërbeja si mësues prej disa vitesh pas diplomimit në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Pas kësaj ashtu të lidhur më çuan në Degën e Punëve të Brendëshme të Kukësit ku pasi më qethën kokën zero, më mbyllën në qeli.

Pas disa ditësh më nxorrën nga qelia dhe më thanë të mbështetesha pas një muri pa lëvizur. Fillimisht u friksova se thashë kushedi çdo bëjnë me mua, ndoshta do më pushkatojnë….ashtu siç kishim parë nëpër filma….?! Por ajo ndjesi e tmerrshme më kaloi shpejt, kur para meje u shfaq një njeri që mbante një aparat fotografik në dorë dhe më tregoi se si duhej të pozoja para tij”, tha ndër të tjera Visar Zhiti në rrëfimin e tij.

Visari kujton se ishte ai i pari që iu drejtua hetuesit duke i thënë: “Po, pse po më arrestoni”?! “Po… se ke bërë agjitacion e propagandë”, iu kthye hetuesi me një ton të lartë dhe të prerë, gjë e cila nënkuptonte se ai kishte ardhur aty të jepte llogari dhe jo të kërkonte. Por pa mbaruar mire fjalën hetuesi, Visari ia ktheu përsëri po me të nëjten qetesi si me pyetjen e parë: “Po ajo është detyra ime, të bëj agjitacion e propagandë, pasi jam mësues…” “Po, por agjitacionin e propagandën e ke bërë kundra Partisë dhe pushtetit popullor”, ia ktheu hetuesi me një ton brutal, gjë të cilën ai dhe kolegët e tij e vazhduan deri në fund të hetimeve në muajin prill të vitit 1979 kur dhe u zhvillua gjyqi ndaj tij dhe e dënuan me 13 vjet burg politik me akuzën e agjitacion-propagandës.

Të fundit