Flash News

KRYESORE

“Kap ça t’kapësh”, Unioni i Gjyqtarëve ragon ndaj Ramës: Qëndrime agresive të adresuara gabim, dëmtojnë reformën

“Kap ça t’kapësh”, Unioni i Gjyqtarëve ragon

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë në parlament foli për një grup gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët i cilësoi si ‘KÇK’, ose ‘Kap ça t’kapësh’ dhe kërkoi arrestimin e tyre.

Gjyqtarët e kanë cilësuar qëndrimin e Ramës si agresive dhe të adresuar gabim dhe se një qasje e tillë mund të dëmtojnë Reformën në Drejtësi.

“Shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë.

Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit.

Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi.

Organizmat përfaqësuese të gjyqtarëve, që në fillimet e procesit të reformës në sistemin e drejtësisë kanë shprehur mbështetjen e tyre të pakursyer për këtë reformë, duke kontribuar në mënyrë aktive, me qëllim arritjen e një produkti sa më cilësor.

Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën.

Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fund”, përfundon reagimi nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.

Rama sulmon prokurorët dhe gjyqtarët ‘ngelës’: Ka një grup “kap ça të kapësh”

Të fundit