Flash News

Kosova

Kosova nuk tërhiqet/ Reciprociteti i targave në ditën e tretë, serbët vijojnë bllokadën në Jarinje dhe Bërnjak

Kosova nuk tërhiqet/ Reciprociteti i targave në ditën e

Më 20 shtator qeveria e Kosovës vendosi zbatimin e reciprocitetit të targave, sipas të cilit asnjë automjet me targa serbe nuk lejohet të hyjë në Kosovë. Në zbatim të reciprocitetit, serbët do të duhet të vendosin targa të përkohshme të Kosovës.

Kjo hasi në kundërshtime nga pala serbe, të cilët bllokuan pikën kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut duke shkaktuar tensione në veri të Kosovës.

Sot është dita e tretë që pala serbe vijon të mbajë të bllokuar pikat kufitare duke kundërshtuar vendosjen e reciprocitetit nga qeveria e Kosovës. Forcat e Njësisë Speciale qëndrojnë prej tre ditësh për të ruajtur rendin dhe qetësinë duke shmangur konfliktet e mundshme.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se vendimi nuk ishte i njëanshëm, por i imponuar nga qeveria e Serbisë. Në mbledhjen e djeshme me ambasadorët e QUINT-it, Kurti deklaroi se vendosja e reciprocitetit nuk ishte një provokim.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, u shpreh Kurti.

Nga ana tjetër, edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri lëvizjen e tij. Ai mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku sqaroi se Serbia kërkon tërheqjen e trupave të vendosur në veri dhe një përgjigje të menjëhershme nga Bashkimi Evropian.

"Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, deklaroi Vuçiç.

Ndërkaq, qytetarët serbë kanë vazhduar protestën edhe mbrëmjen e djeshme, duke bllokuar rrugët që të çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Njësia Special ka qëndruar e gatshme gjatë natës pas protestave nga pala serbe.

 

Të fundit