Flash News

KRYESORE

Taulant Muka në Politiko: Pse Rama është shumë larg hapave për të implementuar Inteligjencën Artificiale në çështjen e integrimit

Taulant Muka në Politiko: Pse Rama është shumë larg hapave

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Kongresin e PS se ka bashkëpunuar me Mira Muratin, drejtuese e Kompanisë ChatGPT, për të bërë të mundur rivendosjen e 280 mijë faqeve me masa ligjore të BE në legjislacionin tonë.

Lidhur me këtë deklaratë, pati një ‘lumë’ reagimesh, madje shumë prej tyre nuk kursyen as notat e ironisë.

Taulant Muka, ish-zv.ministri i Arsimit pranë kabinetit ‘Rama’, një shkencëtar në fushën e mjekësisë, ka zbërthyer për Politiko.al se çfarë fshihet pas premtimit të kryeministrit.

Muka, duke u ndalur edhe të cilësia e sistemit arsimor në Shqipëri, thotë se ndërtimi i një produkti të bazuar mbi inteligjencën artificiale, siç është rasti i përkthimit dhe përshtatja e legjislaturës Europiane në atë shqiptare, kërkon kapacitete të shumta shkencore.

Kryeministri dhe qeveria me deklaratat për inteligjencën artificiale treguan se janë një nga 70% e analfabetëve funksional në shkencë. Inteligjenca artificiale bazohet kryesisht mbi analizën matematikore (algoritmat) dhe integrimin e fushave të tjera shkencore, dy aspekte në të cilët të rinjtë kanë rezultuar në nivel ngelës krahasuar me bashkëmoshataret e tyre në Evropë dhe botë.

Për më tepër, këtë vit auditorët në degën e matematikës u gjenden bosh, tregues i një deficiti të madh jo vetëm në kapacitetet arsimore, por edhe për shkencën shqiptare. 

Të ndërtosh një produkt të bazuar mbi inteligjencën artificiale, qoftë edhe për përkthim dhe përshtatje të legjislaturës Europiane në atë shqiptare, kërkon kapacitete të shumta shkencore, por edhe kohë të nevojshme për të bërë trajnimin e modelit, validimin dhe replikimin”, shprehet Muka në Politiko.al.

Ai shton se kjo bëhet në një databazë të dhënash që janë të certifikuara dhe kontrolluara paraprakisht nga ekspertët përkatës.

Edhe nëse kjo do ishte e mundur, në rastin konkret, kërkon që BE ta pranoje si praktikë, çfarë kërkon certifikim nga institucionet përkatëse që merren me produktet e inteligjencës artificiale.

Kryeministri është shume larg të gjitha hapave që janë të nevojshme për të implementuar inteligjencën artificiale në çështjen e integrimit.

Qeveria dhe vendi gjendet sot përballë një gjendje alarmante në arsim dhe shkencë, që kërkon reflektim, përgjegjësi dhe një pakt kombëtar për një reformë afatgjatë për t’i dhënë një vizion të ri Europian universiteteve dhe arsimit në të gjitha nivelet”, deklaron ish-zv.ministri i Arsimit.

Sipas tij, Shqipëria është e fundit për produktin shkencor, për nivelin e arsimit të të rinjve dhe universitetet shqiptare ende janë në koncept gjimnazi.

“Nuk mund të qeverisesh dijen me plagjiaturë dhe njerëz që i quajmë shkencëtarë, por nuk kane një produkt shkencor”, shton Muka. Politiko.al/ S.Gjidede

Të fundit