Flash News

OP-ED

Rishkrimi i historisë me… "shkelje ligji"

Rishkrimi i historisë me… "shkelje ligji"

Romeo Gurakuqi

Edhe një herë për ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë për fondin e devijuar qeveritar për rishkrimin e historisë te një grup i përzgjedhur nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Akademisë së Shkencave

Eshtë një rast tipik i shkeljes së rëndë të ligjit mbi mënyrën e financimit të kërkimit shkencor në RSH nga ana e qeverisë;

Eshtë një qokë shpërblyese e Kryeministrit për disa miq të tij politikanë, në kontroll të linjave të vjetra të historishkruarjes, sot të instaluar në ASH, projekt ky i premtuar dhe i lëvruar para zgjedhjeve politike, i shpallur jo rastesisht, pas triumfit socialist në zgjedhjet e "lira dhe të ndershme".

Në vend që qeveria, përmes Agjencisë së Financimit të Kërkimit Shkencor, të mbështeste projektet e mirënjohura , të përfunduara ose në fazën e permbylljes, të rreth 15 historianëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët e kanë kryer punën rishkruese, bën atë që asnjë qeveri e përgjegjshme  dhe e shpjegueshme nuk e bën: derdh fonde pa asnjë bazë arsyetimi, pa asnjë projekt të shpallur, brenda një strukture të sajuar miqsh, në fund të karrierës dhe përtej mundësive  të tyre fizike, për të realizuar një mision, që kanë pasë dekada për ta bërë.

Pyetini pak ideatorët: pse nuk janë thirrur për këtë sipërmarrje Profesorët Peter Bartl, Noel Malcolm, Oliver Jens Schmitt, Bernd Fischer, Matteo Mandala etj.?!

Thanun troç: Ky fond i dhënë  nga Kryeveziri për Kryekontrollorin e tij të shkencës, i cili është i shoqëruar në këtë andërr akaparuese nga tre kontrollorë të rangut të dytë dhe që bashkerisht do të përzgjedhin, sipas vendimeve dhe kritereve personale, shkruesit e pajtuar të rangut të tretë, të cilëve, administratorët do u paguajnë, në baze të një kontrate tip (!) 4000 lekë për një faqe pune (A thu se puna shkencore matet me numër faqesh), që në fund të fundit do të rishqyrtohet edhe një herë nga katërshja e censurës, garante se vijat e kuqe nuk janë shkelur.

Provoni të pyesni ku është projekti? A mund të njihet publiku me versionin zyrtar, me proces-verbalet e vendimarrjes për përzgjedhjen e burimeve njerëzore, komisionet dhe si janë konceptuar ato, metodën e punës, buxhetin e detajuar. Nuk do të gjeni asgjë të tillë veç ndonjë fletë, skicuar në zyrat e rehatshme të pensionistëve të shkencës, që nuk prajnë së rrahuri gjoksit si shpëtimtarë të kombit, mbrojtës të kufijve të tij kundër armiqve të përjetshëm, ruajtës të gjakut të të rënve dhe mbajtes të amanetit të të parëve.

Nji zotsi funksionesh, dredhish dhe dhelpnish nuk jep gjithmonë garanci për drejtësi kauze dhe paprekshmëri të vendeve të dhurueme nga shokët e një kohe.

Mirëpo, ka edhe një institucion ndaj të cilit, qeveria dhe administrata e Akademisë duhet që një ditë ta arsyetojnë shkresërisht të gjithë projektin, fondin, vendimarrjen dhe shpenzimin e buxhetit: Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ky i fundit ka tagrin dhe detyrën, që hallkën e parë, atë që e ka filluar veprimin lëvrues të fondeve, Zyrën Kryeministrore, ta vleresojë juridikisht, financiarisht në praktikën e ndjekur me këtë rast. Dhe kjo procedurë është e mira që të ndodhë që tani, kur gabimet dhe fajet mund të korrigjohen, pa ndodhë dami.

Publiku po pret! Zërat e njëanshëm nuk janë premtues!

Të fundit