Flash News

KRYESORE

Para datës për hapjen e negociatave me BE-në, Rama planifikon një takim me Mitsotakis

Para datës për hapjen e negociatave me BE-në, Rama planifikon

Me datën 18 tetor që është pak më shumë se një muaj larg, kryeministri Edi Rama duhet që të zgjidhë një problem të fundit, atë që vjen nga fqinji ynë jugor, Greqia. Shteti helen në këto ditë të fundit e ka ngritur zërin duke shprehur pakënaqësinë ndaj Shqipërisë, sepse nuk po i trajton me respekt minoritetin grek.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi për mediet se Greqia mund të votojë kundër hapjes së negociatave, nëse Shqipëria vazhdon të mos të respektojë të drejtat e minoritetit grek.

Mediet greke shkruajnë për një takim të mundshëm të kreut të qeverisë, Edi Rama dhe homologut të tij. Athina zyrtare po përgatit agjendën për takime me rëndësi para nisjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve te Bashkuara në Nju Jork.

Në qarqet qeveritare flitet se Kyriakos Mitsotakis ka marrë kërkesa të shumta nga disa liderë ballkanikë për takime individuale, ndaj thuhet se është shumë i mundur një takim midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Qeveria Mitsotakis ndjek me shumë vëmendje zhvillimet në Ballkan dhe cilëson të rëndësishëm momentin politik deri në tetor kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin datën për fillimin e këtyre negociatave.

Gjithashtu, po punohet njëkohësisht edhe për një takim midis kryeministrit grek Mitsotakis dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zaev, takim që pritet me interes të jashtëzakonshëm.

Konservatorët grekë deri para zgjedhjeve të korrikut e cilësonin Marrëveshjen e Prespës tepër të dëmshme për Greqinë, ndërsa tani kërkojnë nga Shkupi zbatimin e saj të rreptë si kusht për dritën jeshile drejt Evropës.

Mediet greke raportojnë se është caktuar tashmë një takim mes kryeministrit Mitsotakis dhe presidentit turk Erdogan.

Midis Turqisë dhe Greqisë tensionet janë shtuar, me Erdogan që e ka bërë të qartë që pa ndihmën e BE-së nuk i mban dot i vetëm miliona emigrantë sirianë dhe do të hapë dyert për t'i lënë ata të shkojnë drejt Evropës.

Të fundit