Shtyrje e zgjedhjeve? As Trump nuk qëndron mbi kushtetutën!

Presidenti, Donald Trump ka ndezur debatin me përmendjen në Twitter të shtyrjes së mundshme të zgjedhjeve presidenciale në nëntor në SHBA. Por a e ka fuqinë presidenti të shtyjë zgjedhjet presidenciale?

A mund të shtyjë presidenti zgjedhjet e 3 nëntorit 2020 në një datë të mëvonshme?

Jo. Kongresi i SHBA e ka të përcaktuar qartë që në vitin 1845, që presidenti zgjidhet çdo katër vjet të martën, pas së hënës së parë të muajit nëntor. Për të ndryshuar ligjin zgjedhor, Trump ka nevojë për mbështetjen e të dyja dhomave të Kongresit. Konsiderohet si shumë e pamundur, që republikanët, që kanë në Senat shumicën do të votojnë për një shtyrje të tillë. Po ashtu përjashtohet, që demokratët, që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve ta bëjnë të njëjtën gjë. “Për shkak se kemi ndarje të pushteteve në qeverinë tonë dhe nuk jemi diktaturë, presidenti nuk mund ta ndryshojë kaq lehtë ligjin”, thotë James Gardner, profesor i së drejtës juridike në Universitetin Shtetëror të Nju Yorkut në Buffalo.

Çfarë ndodh, nëse presidenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme?

Në rastë të një gjendjeje të jashtëzakonshme hyjnë në fuqi vërtet rregullore të tjera, por edhe atëherë Trump nuk mund ta ndryshojë i vetëm ligjin zgjedhor. Shumica e rregulloreve të emergjencës kanë të bëjnë me atë, se si presidenti do të shpërndajë fondet. Për një shtyrje të datës zgjedhore, edhe në kushte ekstreme, ai do kishte nevojë për miratimin e kongresit.

A janë shtyrë ndonjëherë në historinë e SHBA-së zgjedhjet federale?

Jo. Pavarësisht nëse ka pasur luftë apo shpërthime të gripit, amerikanët nuk kanë qëndruar larg kutive zgjedhore. Në vitin 2004, qeveria e Georg W. Bushit ka pasur një plan për të ndryshuar ligjin, ku sipas planeve, një sulm terrorist do mund të merrej si arsye për shtyrjen e zgjedhjeve. Por këto plane nuk u zhvilluan më tej. E ngarkuara për sigurinë kombëtare atë kohë, Condoleezza Rice tha, se SHBA i ka mbajtur zgjedhjet “edhe kur vendi ka qenë në luftë, madje edhe gjatë luftës civile. Zgjedhjet tona duhet të zhvillohen në datën e përcaktuar.”

Çfarë ndodh, nëse më 3 nëntor nuk votohet. Mundet Trump të qëndrojë pa afat në post?

Jo. Fundi i mandatit presidencial është  i përcaktuar në kushtetutën amerikane. Koha e Trumpit si president dhe Mike Pence si zëvendëspresident në Shtëpinë e Bardhë merr fund më 20 janar 2021 në orën 12:00. Nëse për arsye të ndryshme askush nuk e ka fituar votimin me shumicë të 270 “electors”, zgjedhësve (nëse në disa shtete federale nuk u votua), atëherë hyn në fuqi rregullorja pasuese, si në rastin kur presidenti largohet nga posti për arsye të ndryshme. Pas presidentit dhe zëvendëspresidentit në radhë është drejtuesja e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve. Nancy Pelosi në këtë rast, demokratja e urryer nga Trump.

Sa real është shqetësimi, se Trump nuk do ta njohë një humbje dhe do të këmbëngulë në post?

Vëzhguesit zgjedhorë janë të mendimit, se kritika e vazhdueshme e Donald Trumpit ndaj sistemit zgjedhor me letër synon që të diskreditojë që më parë rezultatin zgjedhor. Mund të ndodhë, që nëse humb zgjedhjet, ai ta lidhë këtë me manipulim zgjedhor. “E mendoj se këtë Trump do e bënte”, thotë J. Miles Coleman nga Qendra për Politikat e Universitetit të Virginias. Një fitore e thellë e Joe Bidenit mund ta pengojë këtë. Por nëse Trump edhe atëherë refuzon të dalë nga Shtëpia e Bardhë? “Shpresoj, që atëherë persona të tjerë autoriteti nga ushtria, policia dhe shërbimi shtetëror të ndjehen kaq të detyruar ndaj ligjit, saqë të mos e njohin më si president”, thotë Gardner. “Trump do të ishte kështu një invazor që duhej larguar.”/ DW