Flash News

KRYESORE

Basha merr mbështetje nga Gjermania: Grupe të përbashkëta pune për ta zhvilluar Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi presidenten e Këshillit Ekonomik Gjerman, Astrid Hamker dhe zëvendës Presidentin Friedrich Merz në Gjermani. Ky i fundit është CEO i BlacRock Inc, Fondi më i madh i investimeve në botë. Gjatë takimit me drejtuesit e lartë të Këshillit Ekonomik Gjerman, ai pati mundësinë që të diskutonte për zgjerimin e bashkëpunimit.

“Gjeta mbështetje të plotë për të na asistuar me ekspertë dhe eksperiencën e tyre gjatë detajimit të programit tonë ekonomik dhe nesër në qeverisje për të nxitur investitorët gjermanë të shqyrtojnë Shqipërinë si destinacion të investimeve të tyre.

Ne do të ngremë grupe të përbashkëta pune me qëllim bërjen realitet të objektivit tonë për ta bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet gjermane në veçanti dhe të huaja në përgjithësi, për të rritur punësimin me paga dinjitoze dhe zhvillimin ekonomik të vendit.”, informoi Basha.

Për programin ekonomik të PD dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, kreu i demokratëve diskutoi edhe me Thomas Bareiss, Sekretar Shteti i Parlamentit në Ministrinë Federale Gjermane për Çështje Ekonomike dhe Energjetikë dhe me Dr. Jürgen FRIEDRICH, President dhe drejtor ekzekutiv i Germany Trade&Invest, korporata federale për nxitjen dhe mbështetjen e investimeve gjermane në botë.

“I njoha me programin tonë për taksën e sheshtë 9%, me paketën anti-oligarki dhe anti-korrupsion që do të rrisë konkurrencën e ndershme dhe luftojë korrupsionin e përhapur kudo.”, shtoi Basha.

Kryetari i PD shprehu shqetësimin se vetëm vitin e kaluar janë larguar nga Shqipëria qindra sipërmarrje evropiane prej problemeve në lidhje me konkurrencën, zbatimin e ligjit, pronësinë, dhe paqëndrueshmërinë e politikave fiskale.

“Po kështu çdo ditë mbyllen rreth 50 biznese vendase prej korrupsionit, klientelizmit oligarkik të pushtetit dhe politikave të dështuara fiskale e mungesës së vizionit ekonomik. Ne jemi të vendosur ti japim fund këtyre plagëve dhe të krijojmë në Shqipëri një klime të favorshme për investimet vendase dhe të huaja dhe për këtë mora mbështetjen e miqve dhe partnerëve gjerman. Punësimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit janë prioriteti ynë kryesor.”, përfundoi ai.

Të fundit