Flash News

KRYESORE

Bo-Jo: Profili i bjondit që tronditi politikën britanike

Bo-Jo: Profili i bjondit që tronditi politikën britanike

nga Reil Sokolaj

Bo-Jo është ndoshta prej dekadash, lideri më karizmatik që do ketë në duar drejtimin e Britanisë së Madhe. E megjithëse rrjedha e historisë nëpër botë ka treguar se karizma s’është domosdoshmërisht tregues i një drejtimi të suksesshëm politik, kjo karakteristikë është padyshim një plus personal. Alexander Boris Johnson lindi në ShBA në vitin 1964, ndërkohë që familja e tij ishte e transferuar atje për shkak të profesionit të të atit, si konsulent mjedisi. Në një intervistë të vonë, bjondi problematik i politikës bashkë-kohore britanike, do të rrëfente se si ardhja në jetë e motrës së tij do ishte edhe një nga influencat e mëdha në formimin e personalitetit për të. Duke qenë se deri në atë kohë ai kishte qenë pasiv; ishte pikërisht ky moment që injektoi në të instiktin e “ luftës “ për vëmendje nga njerëzit që e rrethojnë.

Dhe pikërisht këtë instikt, ish kryebashkiaku i Londrës, e mprehu mirë gjatë viteve të tij si student. Fillimisht në shkollën elitare Eton, e më pas në Oxford, ku falë pompozitetit, popullaritetit të fituar për shkak të mungesës së ndrojtjes dhe aftësisë për t’u artikuluar ai arriti të zgjidhej President i Unionit të studentëve; post i cili konsiderohet si një nga shkallat e e hershme që politikanët që bëjnë karrierë në Britani, ngjisin në rininë e tyre të hershme.

Pasi u diplomua në Studime Klasike, Boris ankorohet si praktikant në Times, falë edhe lidhjeve të tij familjare, por prej ku shpejt përjashtohet për shkak të gabimeve që egoja e një të riu që kërkon famë të shpejtë e detyroi të bënte duke cituar në mënyrë të gënjeshtërt dhe të qellimshme fjalë që një akademik s’i kishte thënë. Seria e njollave të ish-sekretarit të jashtëm të Britanisë është e gjatë. Ai fitoi vëmendjen e publikut falë tradhtisë bashkëshortore, përgjimeve ku i premtonte një shoku shkolle se do i gjente adresën e shtëpisë një gazetari si ndihmë për nxirjen e syve që shoku i tij do i shkaktonte reporterit në fjalë, shtrembërimet dhe ekzagjerimet spektakolare të ngjarjeve që raportonte si korrespondent i Telegraph nga Brukseli, apo premtimeve të pambajtura ndaj elektoratit për të braktisur show-n Spectator pasi të zgjidhej si përfaqësues në parlament.

Megjithatë, me një paskrupullsi spektakolare, një kurajo intimiduese për kundershtarët dhe humor të hollë për spektatorët, Bo-Jo ia doli skandal pas skandali, duke arritur të fitonte besimin e Londinezëve për të marrë çelësat e drejtimit të kryeqytetit. I përshkruar gjerësisht nga kritikët si një makiavelist gjakftohtë, i paprinciptë dhe i rrezikshëm për ata që qëndrojnë mes tij dhe ambicieve të tij, lideri i ri i Konservatorëve nuk i zhgënjeu ata që s’e duan duke i kthyer shpinën me qëllim për t’i dalë përballë David Cameron-it në dilemën Leave-Stay që britanikët u desh të përballnin në emër të BREXIT.

Pasi dha kontributin e tij në fitoren e BREXIT, Boris, siç duket pagoi faturën e “ Brutit “ të Cameronit, duke mos u zgjedhur dot menjëherë lider i Partisë Konservatore; vend të cilin e mori Theresa May. Ndërkohë pena e tij e mprehtë dhe fjala e tij thumbuese, preku shpesh herë limitet e korrektesës politike, madje u ngjit nga pozicioni i kontraversit në nivelet e racistit e mizogjenit falë kurajos së shthurur të tij për t’a etiketuar Libinë si “Dubai i ardhshëm pasi investitorët të pastrojnë vendin nga kufomat, “apo gratë e mbuluara myslimane si “ paketa letrash higjenike “ ose Hillary Clinton si “një infermiere sadiste në një spital psikiatrik“.

Me sa duket, shoqëria liberale britanike është tolerante mjaftueshëm sa për të pranuar në krye të saj një ekstravagant që di të jetë edhe popullor falë shkujdesit të qëllimshëm që tregon e që njëkohësisht është edhe konservator edhe pro-emigrant, edhe ithtar i Churchill edhe kundërshtues i BE-së; përdorues i shkëlqyer i fjalës edhe autor gafash ku do zhytej karriera e shumë politikanëve, por jo e tija.

Me siguri, Konservatorët kanë vënë një bast të madh duke ia besuar të ardhmen një figure kaq të paparashikueshme sa Boris Johnson e megjithatë, kundërshtarët e nënvlerësojnë kur e krahasojnë atë me Trumpin. Boris është politikisht më inteligjent, oratorikisht shumë më i aftë dhe personalisht tepër karizmatik për t’u krahasuar me Trumpin. Pikërisht për këto arsye opinioni publik britanik e ka amnistuar disa herë, për t’i dhënë shansin që ironikisht të ngjitet në majën e piramidës së shoqërisë, bash atje ku e ëma, në një intervistë, tregonte se Borisi i ri pretendonte me vetbesim se i takonte të ishte.

 

Të fundit