Brukseli hap një pikë kontakti për studentët shqiptarë

Një lajm i mirë vjen nga Brukseli për të rinjtë dhe studentët shqiptarë në Ditën e Rinisë.

Universiteti i Lirë i Brukselit (VUB) – një nga universitetet më të mirë në Europë – ka ndërmarrë një nismë të veçantë, hapjen e një pike kontakti dhe informacioni në lidhje me mundësitë dhe bursat e studimit që ofron ky universitet për të rinjtë shqiptarë.

Konkretisht kjo pikë kontakti konsiston në rritjen e informacionit dhe lehtësimit të procedurave për studentët shqiptarë që duan të studiojnë pranë këtij universiteti.

Belgjika aktualisht cilësohet të jetë ndër vendet më të lira në Europën perëndimore për sa i përket tarifave studimore, por gjithashtu një vend me universitete mjaft prestigjioze. Vitet e fundit ka një rritje të konsiderueshme të numrit të studentëve shqiptarë që po vinë drejt Belgjikës për shkak të shumë lehtësirave që ofron ky vend për studime.

Themeluesi i kësaj zyre pranë universitetit belg, Arlind Cara, shprehet se ky projekt do të shërbejë si një urë lidhëse midis të rinjve shqiptarë që duan të studiojnë pranë këtij universiteti, por jo vetëm. Doktoranti shqiptar Cara, që punon pranë zyrës së marrëdhënieve me jashtë të universitetit në Bruksel tregon se kjo zyrë do tu vijë në ndihmë të gjithë të rinjve shqiptarë jo vetëm nga Shqipëria, por gjithashtu edhe të rinjve të interesuar që vinë nga të gjitha trevat shqipfolëse në Ballkan, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi gjithashtu.

Universitetit belg VUB është i njohur ndërkombëtarisht për cilësinë e programet në gjuhën angleze në të gjitha nivelet, Bachelor, Master dhe Doktoraturë.

Ky projekt pritet që të shtojë numrin e shkëmbime të studentëve shqiptarë, të doktorantëve, të kërkuesve shkencorë dhe të profesorëve që vinë nga Shqipëria, pranë këtij universiteti.

https://international.vub.be/sq/

https://www.facebook.com/VUB-Albanian-Contact-Point-107150727402218/?modal=admin_todo_tour