Flash News

KRYESORE

Bushati beson se viti 2020 do të jetë i mbushur plot me suksese: Tranzicioni do të përmbyllet

Bushati beson se viti 2020 do të jetë i mbushur plot me suksese:

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar festat e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri 2020, ku është ndalur te rastet e suksesit të të rinjve dhe të rejave të talentuar gjatë 2019, që i shikon si burim frymëzimi dhe shprese.

Me anë të një video-mesazhi në Facebook, ai tha se 2019-a do të mbahet mend gjatë për tërmetin shkatërrimtar, ku humbëm 51 motra dhe vëllezër.

“Tërmet, që la pas një mal tronditës me rrënoja, plagë, halle e sfida. Dhimbja e madhe na bëri bashkë e shpresoj të na ketë vetëdijësuar për të ardhmen. 2019 në kuptimin politik ishte viti i eksperimenteve të rrezikshme, çka pengoi potencialin tonë për të bërë më të mirën për Shqipërinë.

Këto zhvillime nuk duhet të na bëjnë pesimistë. Gjatë 2019 shumë shqiptarë spikatën me arritjet e tyre. Janë të shumta rastet e suksesit të të rinjve dhe të rejave të talentuar burim frymëzimi për të ardhmen.”, tha ai.

Por deputeti i PS-së u ndal te dhjetëra raste suksesi të shqiptarëve anembanë botës e atyre në Shqipëri e Kosovë, që kanë marrë vlerësime ndërkombëtare.

“Janë dhjetëra histori suksesi të shqiptarëve të talentuar që na mbushin me shpresë se viti 2020 do të jetë një vit më i mbarë për të gjithë shqiptarët, me synim rrugën e suksesit dhe ndërtimin e një të ardhme të begatë.

Viti që vjen hyn me këmbë të mbarë pasi Shqipëria për herë të parë merr drejtimin e një prej organizmave më të rëndësishëm të sigurisë, OSBE-së, me shtrirje në 3 kontinete nga Vankuveri në Vladivostok.

2020 shënon fillimin e dekadës së re. Një dekade e cila duhet shënjuar nga të tjera histori suksesi si këto, për të përmbyllur tranzicionin e mundimshëm dhe për të jetësuar projektin e Shqipërinë Evropiane.

Gëzuar Festat! Ju priftë e mbara.”, përfundoi ai.

Të fundit