Flash News

OP-ED

Dita 5 e karantinës: Trump e lejon Edin, por jo Edi mua

Dita 5 e karantinës: Trump e lejon Edin, por jo Edi mua

Alfred Lela  

Edi, im vëlla, u nis sot herët për në Boston. Fillimisht me makinë për në Gjenevë, nëpërmjet kufirit italian në Aosta. Pas një ndalese në Paris do të jetë në ‘shtëpi’ rreth orës 19.00 të mbrëmjes së të dielës. Shtëpia me thonjëza sepse është detyruar të rezervojë një apartament me Air BNB, ku do të kalojë 14 ditë për të respektuar karantinën, por edhe se Suzannah, e shoqja, është shtatzanë për herë të parë. Asnjë kujdes nuk mund të jetë i tepërt.

Izolimi im është tashmë i trefishtë. Mama e sëmurë, karantina italiane që pengon daljen nga shtëpia, përjashto rastet e emergjencës, dhe, që prej pasdites së të shtunës një vendim i kryeministrit Rama që fluturimet nga Zvicra dhe vende të tjera euopiane të mos lejohen në Rinas.

Bileta e datës 26 është vetëm një artefakt personal.

Vendimi i Ramës është drastik dhe i çuditshëm, duke tejkaluar edhe Presidentin Trump i cili pat marrë një vendim të ngjashëm, por jo për shtetasit amerikanë: ata mund të vazhdojnë të kthehen duke marrë ndihmë dhe lehtësira nëpërmjet Departamentit të Shtetit. Rama ka njoftuar vetëm bllokimin, pa ofruar asnjë derë për të trokitur për shqiptarët që ndodhen jashtë.

Hiq këtu derën e Air Albania dhe atë të Kostandinopojës së re të qeverisë shqiptare, Stambollin.

Nuk ka gjë të re në atë se Rama dhe qeveria e tij bëjnë shtatë hile dhe një punë duke patur parasysh imazhin dhe jo lehtesirat e individit apo publikut.

Kryeministri e ka drejtuar nga banesa e tij në fshatin surrel, një ngjizje e arkitekturës brutale e cila nuk i shkon asgjëje tjetër më shumë se një lufte të fundbotshme me Covid-19, karantinën e Shqipërisë. Prej sigurisë së instalacionit të vet artistik derdhur në betonarme, ai ka hequr çdo ditë një tullë nga muri i lirive civile të shqiptarëve, duke ruajtur të drejtën e vetes për t’i konsideruar këto liri si ekskluzivitete të vetat. Cinikët dhe kundërshtarët mund të thonë se Edi Rama i ka shijuar këto ditë si asnjë më parë në serinë e gjatë të  rreth 7 viteve qeverisje. Aktet e tij normative nuk kanë hasur në kundërshtimin e opozitës, as të Presidentit. Të pabindurit, ata që nuk e kanë respektuar shtetrrethimin, ai ka premtuar se do ta shpërndajë me ujë dhe gaz lotjellës.

E diela ishte dita e parë kur Edi Rama e futi më në fund turmën e vet të pabindur në karantinë. Kronikat televizive nga terreni dëshmonin sheshe shkretanie. Jeta ishte mbyllur brenda. Dhëmbët e kërcënimeve të kryeministrit konturonin një ngërdheshje triumfi, ndërsa i zoti shpallte fermanin e fitores nga Surreli.

Për t’ia arritur qëllimit, kryeministri të cilin shumë kritikë e cilësojnë si editor-in-chief (kryeredaktor) të medias shqiptare, përdor edhe një teknikë për shfarosjen e së cilës ka bërë një ligj më vete: fake news.

‘Le Iene’, këtu në Itali, plotësoi numrin dy të fërkimeve me Ramën kur detektoi se një video e hedhur në llogarinë e tij në Facebook si ‘pamje nga Spanja’ ishte e rrejshme. Nuk bëhet fjalë për qytetarë që ndiqen nga Policia si masë për mosrespektimin e karantinës Covid-19, por sekuenca  që vijnë nga Algjeria dhe pa lidhje me luftën ndaj koronavirusit.

Edi Ramën nuk e dënon teprimi në qëndrimet ndaj koronavirusit; në të kundërt e bën të dyshuar si menaxher vonesa për të mbërritur në krye të seriozitetit dhe të punëve. Dy javët e para, kur Covid-19 po shpërhapej nëpër vendin fqinj më shumë se vera në tavolinat e drekave italiane, kryeministri i Shqipërisë i etiketonte si përhapës paniku të gjithë ata që thonin se duheshin marrë masa. Ky alarm ngrihej me të drejtë duke ditur lidhjet shumë të ngushta të Italisë me Shqipërinë: nëse në Romë teshtihet, Durrësit i duhet të thotë ‘shëndet’ dhe të shkojë të kontrollohet për grip.

Ndërkryerja publike që na shërben Rama është një mizanskenë. Një armë në skenë në aktin e parë pritet që të qëllojë në aktin e fundit. Por kryeministri e pat humbur aktin e parë të dramës duke inskenuar tërbime me ata që përhapnin panik. Ai mund të qëllojë me akte normative, por fakti se nuk arriti ta kapte në kohë armën anti-Covid to ta penalizojë duke e bërë të duket një sufler i koronavirusit.

Me Air Albanian më lidh episodi i një refuzimi. Kur pompa e madhe qeveritare për linjën shtetërore, që gëzonte kujdesin e kryeministrit, parashikoi edhe një udhëtim Tiranë-Stamboll për gazetarët, kam qenë një ndër të ftuarit.

Tani ajo ftesë është shdërruar detyrim qeveritar. E vetmja mundësi që të kthehem në Tiranë.

Një linjë e përqeshur dhe e dyshuar, e plagosur në imazh publik nga qortimet për mungesë transparence, avionët e AA do të jenë zogjtë e vetëm supersonikë të linjave komerciale me leje për t’u futur në qiejt e Shqipërisë.

Në kohë ekstreme thuajsë të gjithë e humbasin kurorën dhe pajtohen me virusin. Kush jam unë që të bëj sikur jetojmë ende p.e.c. (para erës së Covid 19).

Dita 4

Dita 3

Dita 2

Dita 1

 

Të fundit