Flash News

Ditari i Maxhorancës

Reagimi/ Çështja e detit, Xhaçka s’jep asnjë detaj pas takimit me Dendias. Ç’pritet të ndodhë

Reagimi/ Çështja e detit, Xhaçka s’jep asnjë detaj

Ka përfunduar takimi mes dy kryediplomatëve të Shqipërisë dhe Greqisë në Athinë. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas takimit me homologun grek Nikos Dendias.

Ajo bën me dije se gjatë këtij takimi është zhvilluar një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Sipas ministres, gjatë takimit është ndarë i njëjti vizion për të ardhmen dhe marrëdhënien mes dy vendeve, për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit dhe të rajonit.

Por Xhaçka nuk ka dhënë detaje se çfarë ka diskutuar me ministrin grek për çështjen e detit. Pritej që në këtë takim të diskutohej se si do të gjendej një mënyrë që çështja në Gjykatën e Hagës të zgjidhej sa më nshpejt.

Para takimit, mediat greke shkruan që rezultati i takimit të sotëm do të përcaktojë rezultatet që do të ketë vizita e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Shqipëri javën e ardhshme, ku ndër të tjera pritet të takohet me homologun e tij Edi Rama në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

“Kënaqësi të takoja homologun tim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Patëm një diskutim konstruktiv për të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona Shqipëri-Greqi. Mirënjohje ministrit Dendias për rolin e tij në thellimin dhe zgjerimin e partneritetit midis dy vendeve tona dhe mbështetjen për integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE.

Ndamë të njëjtin vizion dhe dëshirë për të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe të rajonit në tërësi dhe jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë së bashku në gjetjen e mënyrave të reja për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive për të mirën e popullit tonë dhe të rajonit”, u shpreh Xhaçka.

Të fundit