Flash News

Ditari i Opozitës

Homazhet në nder të Dhimitër Anagnostit/ Berisha: Do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit!

Homazhet në nder të Dhimitër Anagnostit/ Berisha: Do mbahet mend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë mesditën e kësaj të marte në homazhet që po mbahen në nder të regjizorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti i cili u nda nga jeta një ditë më parë. 

Kreu i PD-së, është parë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku i kanë shprehur ngushëllimet bashkëshortes së regjizorit, aktores Roza Anagnosti dhe më pas janë larguar. 

Homazhet në nder të Dhimitër Anagnostit/ Berisha: Do mbahet mend

Jashtë ambjenteve të TKOB-së, në një prononcim për gazetarët Berisha është shprehur se Anagnosti ishte një kolos i gjenisë krijuese artistike dhe trashëgimia që ai la pas do të jetojë gjithmonë. 

Berisha: Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit. Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve.
Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij.

Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.
Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit. Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta.

Regjizori i njohur Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta një ditë më parë pas betejës me një sëmundje të rëndë. Në nder të tij qeveria shpalli ditën e sotme (2 shtator) ditë zie kombëtare. Sot, flamujt në institucionet shtetërore dhe publike u ulën në gjysmështizë në nder të figurës më të rëndësishme që la gjurmë në kinematografinë shqiptare.

Të fundit