Flash News

Ditari i Opozitës

“Plan për çmontimin e LSI-së”, Basha komenton deklaratat e Ramës: Sulmet ndaj ndërkombëtarëve konfirmojnë dështimin

“Plan për çmontimin e LSI-së”, Basha komenton
Foto ilustruese

Kryedemokrati Lulzim Basha komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama për një projekt të përbashkët për çmontimin e LSI-së. Ai tha se Rama është i lodhur saqë çfarë thotë sot nuk thotë nesër, duke theksuar se fokusi duhet të jetë tek e ardhmja.

“Është kaq i lodhur! Çfarë thotë sot nuk thotë nesër. Nuk mban më Rama, ka mbaruar. Është e shkuara. Tani duhet të merremi me të ardhmen. Koalicioni që unë drejtoj, bashkë me LSI, hapi i parë që do hedhim me shqiptarët është do largojmë Edi Ramën më 25 prill. Pastaj me planin e punës do sjellim mirëqenie për shqiptarët. Nuk kam premtuar mrekulli por marr angazhime të realizueshme”, tha Basha.

Në konferencën me fokus programin ekonomik të PD, Basha tha se taksa progresive pasuroi oligarkët dhe varfëroi qytetarët. Ndërsa me taksën e sheshtë 9%, tha Basha, fitojnë shqiptarët.

“8 vite kishte kohë për ti mbajtur premtimet. Sot pas gjithë atyre sharjeve tha se taksa e tij progresive ka dështuar. Urdhëro?! Sa vite kemi që e themi ne?

Sigurisht që taksa progresive ka dështuar, ka shkatërruar shtresën e mesme, vendet e punës, klimën e biznesit, ka pasuruar oligarkët, ka varfëruar shqiptarët. Kjo është një nga arsyet që me taksen e sheshtë 9% fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët dhe humbet dështimi i këtyre 8 viteve dhe një grusht shokësh të tij”, tha ndër të tjera Basha.

Ky i fundit u ndal edhe te kritikat e Ramës ndaj Bashkimit Evropian, duke i cilësuar tregues të dështimit. Sa i takon integrimit ne BE, Basha siguroi se nëse PD vjen në pushtet do të përmbushet ky mision.

“Është përgjegjësia e tij dhe dështimi i tij. Me BE, me institucionet e BE ne kemi farkëtuar marrëdhënie të ngushta në opozitë dhe nesër në qeverinë e re të dalë nga vota e 25 prillit, unë ju garantoj se do të zhbllokojmë procesin e mbetur në mes të hapjes së negociatave dhe shumë shpejt shqiptarët do të përfitojnë si vendet e tjera të rajonit të mirat e këtij procesi.

Sulmet e tij, nuk janë gjë tjetër veçse  konfirmim i dështimit total, braktisjes dhe lënies në baltë të ëndrrës së shqiptarëve për anëtarësim në BE. Me mua dhe qeverinë time Shqipëria do të fitojë Evropën dhe BE”, deklaroi Basha.

 

Të fundit