Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Drejtësia e re: Nuk ka vend për iluzione të mëdha, por për pak shpresë ka
Nuk mund të thuhet se Shqipëria do të gdhihet, mëngjesin e asaj dite kur të gjitha institucionet e drejtësisë së re të jenë finalizuar, me një psherëtimë lehtësimi. Defektet do të jenë të pranishme, por asnjëherë aq të mëdha dhe penguese sa ato që shenjonin drejtësinë që po lëmë pas. Nuk ka vend për iluzione të mëdha, por ka vend për pak shpresë...
Alfred Lela
Shumica po ecën përpara me emërimin e gjykatësve të rinj, siç veproi sot me dy gjyqtare të Kushtetueses, pavarësisht debatit që i shoqëron këto hapa dhe që vijnë, si nga Presidenca, ashtu dhe nga opozita, të cilat me sa duket janë bërë bashkë në ruajtjen e asaj që ato konsiderojnë 'mosrënien e sistemit të drejtësisë në duart e Edi Ramës'.
Megjithatë, është e vështirë të ndash me saktësi se sa prej këtyre përpëlitjeve kanë të bëjnë me përkujdesjen institucionale dhe sa janë, si dobësi që shoqëron humbjen e kontrollit të pjesshëm mbi sistemin e drejtësisë, ashtu edhe tërbimi se ajo pjesë po kalon nga duart e tua në ato të kundërshtarit politik.
Që ka ngjyrime të tilla në rezistencë është e padyshimtë.
Kjo duket edhe te lufta nominale, me emra të përveçëm, që zhvillohet për emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese. Opozita sjell provat e saj dhe thotë se dy emërimet e freskëna në institucionin e epërm nuk kanë qenë mjaftueshëm të kualifikuara, as për të hyrë në shkollën e Magjistraturës (lëre pastaj për të drejtuar Kushtetuesen, është nënteksti). Shumica, nëpërmjet gojës së Taulant Ballës, sjell provat e veta duke thënë se opozita shqetësohet sepse kërkon që bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt, një eksponenti demokrat dhe ish-ministër Drejtësie të kapë një vend në aulën e drejtësisë së re.
Në të dy rastet kemi të bëjmë me shenja të asaj se si krahët politikë përpiqen që, një prej pushteteve paralele në mos ta kenë nën ndikimin e tyre të paktën të mos ia lejojnë kundërshtarit. Naivitet do të ishte të besoje se secila prej tyre e bën luftën për të siguruar neutralitetin.
Neutraliteti në mendjen e shumë politikanëve shqiptarë shihet si më i rrezikshëm se pozicionimi. Eshtë një stancë morale që ata nuk e durojnë dot.
Pa dyshuar aspak se shumica socialiste është përpjekur dhe ia ka dalë ta ngjyrosë me koloritin pro majtist sistemin e ri të drejtësisë në Shqipëri, duhet të mbajmë në mendje edhe disa elementë që e pajisnin me një nivel neutraliteti apo pandikueshmërie relative klasën e re të juristëve post-vetting.
Së pari është angazhimi ndërkombëtar ose lupa e huaj e cila si asnjëherë më parë ka qenë e pranishme ndërkohë që formulohej struktura e e skakierës së re juridike në Shqipëri.
Së dyti, krasitja kryesisht nëpërmjet kritereve financiare e pemës së drejtësisë ka sjellë automatikisht një qarkullim elitash në sistem. Gjyqtarë dhe prokurorë në të dyzetat kanë zënë vende kolegësh në të gjashtëdhjetat që e kanë kaluar një pjesë të karrierës profesionale në komunizëm dhe pjesën tjetër në tranzicion, duke pasë dy 'hematoma' në kredencialet e tyre.
Së treti, reforma në drejtësi ka shërbyer si anti-reformë për sistemin e 'Shkollës së plepave', një mbushje rifuxho e sistemit të drejtësisë së re pas rënies së komunizmit me profesionistë të rinj që kryenin një kurs 6 mujor në Jurisprudencë.
Përmbysja ka ndodhur dhe po finalizohet. Nuk mund të thuhet se Shqipëria do të gdhihet, mëngjesin e asaj dite kur të gjitha institucionet e drejtësisë së re të jenë finalizuar, me një psherëtimë lehtësimi. Defektet do të jenë të pranishme, por asnjëherë aq të mëdha dhe penguese sa ato që shenjonin drejtësinë që po lëmë pas.
Nuk ka vend për iluzione të mëdha, por ka vend për pak shpresë.