Flash News

KRYESORE

‘Drejtësia’ që çoi në burg fakirët Vs Saimir Tahiri: Dënimi im për të qeshur e për të qarë

Dënimi i ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë sot kryefjala e mediave e me siguri do të vijohet të flitet gjatë.

Një dënim për ‘shpërdorim detyre’, i konvertuar me 3.4 vjet shërbim prove, kur Prokuroria kërkoi 12 vjet burg për tri vepra penale, tashmë të rrëzuara nga Gjykata për Krime të Rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuarat kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal’.

Me fjalë të thjeshta, pavarësisht zhurmës së madhe prej dy vitesh, Tahiri shkoi mbrëmë në shtëpi dhe me këtë vendim, ish ministri nuk do të kalojë as edhe një ditë të vetme në qeli.

Vetë Tahiri, mbrëmë për gazetarët, duke mos i fshehur emocionet, e cilësonte vendimin e gjykatës 'për të qeshur e për të qarë’, edhe pse arriti t’i shpëtojë burgut.

Ndërsa ndër vite janë raportuar në media arrestime pafund dhe dënime me burg qoftë edhe për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, një ‘drejtësi’ që mbart me vete dramën e familjeve shqiptare, të nxitur nga varfëria ekstreme.

Cilat janë këto raste që bënë bujë në media:

Në dhjetor 2014, 52-vjeçari Qamil Zela u vetëvar në Burgun e Rrogozhinës, pasi më herët ishte arrestuar pasi u kap me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në shkurt të 2015-ës, në fshatin Gur i Zi të Shkodrës ra në pranga kryefamiljari Naim Dyli, pasi rilidhi energjinë e shkëputur, vetëm për pak minuta, për të mbajtur në jetë të birin vetëm 7 vjeç. Ky i fundit që prej lindjes ishte i sëmurë nga mushkëritë dhe në rast krizash i nevojitet ndihma me oksigjen, si e vetmja mënyrë për ta mbajtur në jetë.

Foto, gruaja e kryefamiljarit

Në nëntor 2018, Fiks Fare” denoncoi sesi një emigrant shqiptar në Itali ishte dënuar nga drejtësia shqiptare për vjedhje të energjisë elektrike, pa qenë fare në Shqipëri gjatë kohës kur është konstatuar lidhja e paligjshme e energjisë elektrike.

Iqmet Bala denoncoi në emisionin investigativ se vjedhja e energjisë elektrike është kryer në vitin 2014, ndërkohë që ai nuk ka qenë në Shqipëri që prej vitit 2011, por prokuroria dhe gjykata e kanë dënuar me 1 muaj burg dhe 2.2 milionë lekë të reja gjobë.

Sapo ka shkelur në Durrës, policia e ka arrestuar, pasi ai rezultonte person në kërkim, sepse ishte dënuar në mungesë.

Të fundit