Flash News

KRYESORE

Drejtuesit e shtetit homazhe në nder të major Klodian Tanushit

Drejtuesit kryesorë të shtetit dhe drejtuesit e partive kanë kryer sot homazhe në Muzeun Kombëtar në nder të major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën gjatë stërvitjes së NATO-s në Letoni.

I pranishëm në homazhe, presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh: “Rënia në krye të detyrës e Dëshmorit të Atdheut, Major Klodian Tanushi la pas një dhimbje të madhe.

Me mirënjohje e respekt u përula sot me nderim të thellë para Tij, për sakrificën sublime dhe kontributin e çmuar që la pas, për patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, që dëshmoi mbi 20 vite në Forcat e Armatosura, si dhe gjatë drejtimit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni.

Në këtë ditë të vështirë, ndaj dhimbjen e ngushëllimet më të sinqerta me nënën, babain, bashkëshorten, tre fëmijët e shtrenjtë dhe ushtarakët shqiptarë, për këtë humbje të pazëvendësueshme.

Lamtumirë Major Klodian Tanushi! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar!”

Të pranishëm ishin edhe dy  nënkryetarët e Partisë Demokratike: “Në nder të major Klodian Tanushit, Dëshmor i Atdheut i cili ra në krye të detyrës në një mision të NATO-s në Letoni, bënë homazhe dy n/kryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho.

Mes dhimbjes për humbjen e hershme të jetës së Klodian Tanushit, përfaqësuesit e PD ngushëlluan nënën, bashkëshorten, fëmijët dhe familjarët.

Partia Demokratike shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së majorit Klodian Tanushi në angazhimin e tij në misionin e mbrojtjes kolektive të NATO-s në Letoni.

Lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe!”

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri gjithashtu homazhe përpara arkivolit të Tanushit, ndërsa në Parlament u mbajt një minutë heshtje nga deputetët dhe ministrat.

Të fundit