Flash News

KRYESORE

E cilësoi si "grup shumë të vjetëruar vendesh"/ Trump shtyn takimin e G7, planifikon zgjerimin e saj me 4 vende

E cilësoi si "grup shumë të vjetëruar vendesh"/

Shtyhet mbledhja e G7-ës, organizatës ndërkombëtare ekonomike të përbërë nga shtatë ekonomitë më të mëdha në botës. Lajmi për shtyrjen e mbledhjes së këtij forumi ekonomik, marrë parasysh edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet bota për shkak të pandemisë së koronavirusit, është bërë me dije nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë për shtyp pas kthimit të tij nga Florida në Uashington, zoti Trump deklaroi se ky takim i planifikuar të mbahej muajin që vjen do të rishikohet për në në shtator ose më vonë gjatë vitit. Ndërkaq, përballë gazetarëve Presidenti amerikan nuk i ka përmbajtur as komentet negative në drejtim të forumit, duke e cilësuar atë si një “grup shumë të vjetëruar vendesh” në formatin e tij aktual. Ai madje njoftoi se po planifikon të zgjeroj listën e vendeve pjesëmarrëse duke përfshirë në të edhe Australinë, Rusinë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

“Po e shtyj sepse nuk mendoj se G7 përfaqëson siç duhet atë që po ndodh në botë”, tha Presidenti Trump. Shumica e vendeve evropiane nuk bën komente të menjëhershme rreth propozimit. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Berlini ishte në pritje të informacioneve të mëtejshme. Nuk ishte e qartë nëse dëshira e Trump për të ftuar vende të tjera ishte një përpjekje për ta zgjeruar përgjithmonë formatin e G7-s.

Kujtojmë se, kjo nuk është hera e parë që Trump ka sugjeruar se pjesë e grupit duhej të bëhej edhe Rusia, duke e quajtur Moskën me rëndësi strategjike globale. Rusia, pjesë e G8 dikur kohe, u përjashtua në 2014 pasi aneksoi rajonin e Krimesë nga Ukraina. Ajo ka ende kontroll mbi këtë rajon, për këtë arsye qeveri të vendeve të G7-s kanë kundërshtuar më herët thirrjet e Trump për ta rifutur atë brenda këtij grupimi.

Pjesë e G7 momentalisht janë vendet si Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Nëse planet e Trump për zgjerimin aprovohen nga vendet e tjera të grupit, automatikisht shkon në 11 numri i vendeve pjesë e forumit.

Të fundit