Flash News

E-TJERA

Pranohet gjykimi i shkurtuar për 12 anëtarët e grupit të drogës të drejtuar nga “Baroni i Fushë Kuqes”, Gëzim Çela

Pranohet gjykimi i shkurtuar për 12 anëtarët e grupit të

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për 12 anëtarët e grupit të trafikut të drogës të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Flakë në det”. Në qendër të këtij grupi qëndronte Gëzim Çela nga Fushë Kuqe e Kurbinit, i njohur ndryshe si “Baroni i drogës”.

Në seancën e sotme, GJKKO vendosi të pranojë kërkesën për procedurë të përshpejtuar për të gjithë të pandehurit, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 23 prill, ku Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të lexojë konkluzionet përfundimtare.

Të pandehurit për të cilët është pranuar gjykimi i shkurtuar janë:
Gëzim Çela, kushëriri i tij Nerim Çela, ish-punonjësi i Policisë së Shtetit Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Besnik Brokeri nga Vlora, ish-shefi i Komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Armando Papa dhe dy shtetasit ukrainas Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon.

Ky grup kriminal u godit në disa faza nga autoritetet, ndërsa në gusht të vitit të kaluar, u zbulua një tentativë për trafik droge nga lugina e Patokut drejt Italisë, me anë të një varke velierë. Dyshohet se grupi kishte planifikuar një shkëmbim në det të hapur mes kanabisit dhe kokainës, me një sasi të dyshuar prej 1 ton kanabis, e cila u dogj nga trafikantët në momentin e ndërhyrjes së policisë.

Në atë fazë u arrestuan Nerim Çela, Arlind Ismailukaj, Armando Mema, Besnik Brokeri dhe dy korrierët ukrainas. Më 9 tetor, SPAK lëshoi katër urdhër-arreste të tjera, përfshirë atë për ish-shefin e Komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, si dhe për Gëzim Çelën, i cili u arrestua në Kosovë. Në kërkim u shpallën edhe Arben Dalipaj nga Vlora dhe Roland Guzo nga Durrësi.

Ndërkaq, dosja ndaj këtij grupi ka zanafillën që në prill 2023, kur pranë aeroportit të Rinasit u arrestua Armando Papa, pasi në makinën e tij u gjetën 42 kg heroinë me vlerë rreth 500 mijë euro. Sipas hetimeve, ai ishte korrieri i Gëzim Çelës dhe Arben Dalipajt.

Të akuzuarit përballen me veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Sipas SPAK, baza e këtij grupi ishte vendosur në Fushë Kuqe të Kurbinit.

Kujtojmë se Gëzim Çela është dënuar më parë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vjet e 8 muaj burg për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2012, autoritetet italiane e kanë dënuar me 19 vjet e 9 muaj burg për organizim të emigracionit të paligjshëm dhe shfrytëzim prostitucioni, si pjesë e një organizate kriminale.

Të fundit