Flash News

KRYESORE

Ekskluzive/ Qindra qytetarë bllokohen në aeroportin e Hamburgut, rrëfehet 24-vjeçari shqiptar: Na u zu fryma. Udhëtarëve u bie të fikët!

Qindra qytetarë që nga orët e para të mëngjesit kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Hamburgut në Gjermani. Shkak, sipas njoftimit të aeroportit është bërë një problem me energjinë.

24 vjeçari Flori. K, i cili do të udhëtonte mëngjesin e sotëm në 10:40, prej orësh është i bllokuar në aeroport.

Flori tregon për Politiko.al se si rrodhi e gjithë ngjarja që në orët e mëngjesit.

“Jam në aeroport që në orën 9:00 të mëngjesit të sotëm. Do udhëtoja me kompaninë “Ryan Air” në orën 10:40 për në Milano. Nga Milano pastaj do nisesha drejt Shqipërisë. Në një moment u fikën dritat dhe u mbyllën dyert e aeroportit. Na u zu fryma. Mes nesh ka dhe fëmijë”, rrëfen Flori për Politiko.al.

Tejet i shqetësuar për situatën, 24 vjeçari nga aeroporti i Hamburgut tregon se njerëzve u bie të fikët dhe shumë prej tyre kanë probleme me frymëmarrjen dhe të vjella.

“Unë fatmirësisht jam mirë. Rezistoj”, shprehet Flori i cili shton më tej se qindra qytetarë kanë marrë ndihmën mjekësore.

“Unë e humba fluturimin për sot. Por e rëndësishme është që të mos ketë të lënduar dhe që situata të mos përkeqësohet”, shprehet Flori.

Ai tregon se nga aeroporti i kanë lajmëruar vetëm që ka një problem teknik por pa iu dhënë detaje të tjera.

“Nga ora 10 nuk është ulur dhe nuk ka nisur asnjë avion. Ne po presim dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet dhe ne të nisim fluturimet. Por edhe nëse nuk zgjidhet ne nuk  largohemi dot nga aeroporti pasi kemi valixhet në avion”, tregon 24 vjeçari për Politiko.al.

Në njoftimin e minutave të fundit në faqen zyrtare të aeroportit shkruhet se, “aeroporti është detyruar të anulojë fluturimet për ditën e sotme. Defekti nuk mund të rregullohet. Aeroporti i Hamburgut ka nevojë për furnizim me energji të mjaftueshme për të kryer operacione të sigurta. Kërkojmë ndjesë për të gjithë pasagjerët dhe të afërmit e prekur”. /Xhuliana Jakimi- Politiko.al/

Të fundit