Flash News

OP-ED

Nata e listave: ka tym, por jo Papë

Nata e listave: ka tym, por jo Papë

Historia e përsërit veten në Shqipëri. Herë në formën e tollonit të mishit dhe herë në formën e listave të kryetarëve.

Për ata që mendojnë përsëritjen si mëmë të dijes, padija është një lopë me sisë të mëdha, qumështin e së cilës e pinë shumë kopukë në Shqipëri.

Sonte përsëritet për shembull teatri i ‘misterit’ në Partinë Demokratike. Lulzim Basha ka mbledhur rreth orës 20 Kryesinë e partisë dhe paskëtaj do i fërshëllejë në Zoom edhe Këshillit Kombëtar, për të paraqitur listat e kandidatëve të tij për deputetë. Katër vjet më parë qe betuar ‘është hera e fundit që listat në PD i bën kryetari’. Imagjinoni dhimbjen e demokratëve sikur atij t’i duhej ta përsëriste sërish këtë përbetim, diku në fund të prillit 2021.

Edi Rama nuk i hapi listat në Kod siç premtoi, i la ashtu gjysmake në një hapadollapa kush është mbrapa, por ka qenë pak më i hapur se Basha në procesin e kandidimit. Disa emra i bëri publikë pa dalë listat finale dhe disa të tjerë i skartoi.

Për Monika Kryemadhin, çfarë të thuash!? Emri i saj është në krye të listës së tre qarqeve kryesore. Edhe pse Kodi ia lejon, ky vaj në lakra elektoral flet shumë për natyrën e partive tona dhe listave të tyre.

Mos kini iluzione as këtë here! Kur të keni parasysh fletën e votimit, siglat e partive dhe emrat e përveçëm të kandidatëve nuk kanë asnjë rëndësi. Madje ata janë mënyra se si kryetarët tallen me ju dhe demokracinë. Mbyllini sytë dhe parafytyroni Ramën, Bashën dhe Kryemadhin.

Ngado t’ju çojë imagjinata, vendimi dhe maja e lapsit, ta dini se nuk po bëni gjë të re. Thjesht po përsërisni padijen e zemrës, e cila nuk i bindet dijes së mendjes që pëshpërit: janë skena të vjetra që përsëriten medemek si risi.

Ka tym, i cili mund të jetë i zi ose i bardhë, por nuk ka Papë.

Latest news