Flash News

KRYESORE

EULEX bastis zyrat e OVL-UÇK, arreston dy figurat kryesore për dosjet e Hagës

Dy figurat kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë vënë në pranga gjatë ditës së sotme në Kosovë.

Mediat kosovare bëjnë me dije se fillimisht është arrestuar në zyrën e tij kreu i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, nga efektivë të EULEX-it. Pak orë më vonë, në mesditë, disa hetues të Speciales kanë shtënë në pranga edhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Ky i fundit është arrestuar në hyrje të Televizionit 7, ku kishte qenë i ftuar për intervistë. Në një prononcim për mediat, Haradinaj u shpreh se: “Unë nuk e njoh këtë gjykatë, ne nuk e njohim këtë gjykatë dhe besojë se kjo ditë është e cila troket në të gjitha dyert e ne qytetarëve të Kosovës dhe kjo na bënë të mendojmë nëse kemi shtet, apo organe shtetërore, parlament edhe pse e dimë që kemi parlament edhe na bënë të mendojmë se kemi Kushtetutë. A ka të drejtë dikush të hyjë në dhomën e fjetjes pa trokit në fakt, në zyrë nuk hyhet pa trokit, EULEX-i sillet kështu se nuk na konsideron njerëz dhe të denjë”, tha ai.

Kujtojmë se, arrestimi i Gucatit dhe nisja për në Hagë u bë një ditë pasi që Prokuroria e Posaçme arrestoi edhe ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Organizata në tre raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, tha të martën se është e angazhuar që të hetojë dhe të ndjekë ata që publikojnë identitetin e individëve që mund të thirren para Gjykatës së Posaçme, reagim ky i cili është vënë menjëherë në zbatim.

Të fundit