Flash News

KRYESORE

Gazetari i përgjigjet studiuesit Albert Nikolla: A po e mbron Lleshajn si katolik dhe mirditor?!

Gazetari i përgjigjet studiuesit Albert Nikolla: A po e mbron Lleshajn si

Gazetari Ilir Nikolla, në një koment të botuar në 55.al, ka reaguar për gazin lotsjellës të përdorur nga Policia dje kundër protestusve duke e quajtur 'të shpërpjestuar'. Për këtë dhunë minsitrit Leshaj i duhet mbrojtje, shkruan Nikolla duke iu referuar shkrimit të një Nikolle tjetër, Albert Nikollës, botuar te Tema.

Gazetari e konsideron alibi këtë shkrim, por ai ngre një shqetësim tjetër që sipas tij ka të bëjë   me trajtimin në terma të fetares dhe krahinores të ministrit Lleshaj në shkrimin e A. Nikollës. Ai kujton përdorimin e temave 'intifadë' dhe 'kthesë kulturore në drejtimin e ministrisë së Brendshme' të përdorur nga artikullshkruesi i Tema.

Veçojmë nga shkrimi i I. Nikolla:

"Mbrojtja e veçantë ndaj Lleshit s’mund të kërkohet tek profili i tij politik, as tek karriera ushtarake e akademike, prandaj edhe Albert Nikolla ka tentuar të mbrojë veglën e vërtetë të verbër të Edi Ramës, në rrafshin krahinor e religjioz. Për ata që s’e dinë, Intifada është literalisht fjala arabe që shenjon “rizgjimin e ndërgjegjes arabe kundër pushtimit izraelit”, kurse në sensin konkret shenjon lëvizjen e rezistencës që palestinezët dhe popullsitë arabe prej 1987-s po mbajnë në këmbë kundër pranisë izraelite në Lindjen e Mesme. Nuk besoj se Albert Nikolla e gjen krahasimin e sulmeve ndaj Sandër Lleshajt në aspektin e nacionalitetit, se atëhere me Albert Nikollën do të kishte punë gjykata dhe jo opinioni publik".

Më poshtë dy shkrimet e botuara, sipas rendit kronologjik, në Tema dhe 55.al.

 

Ministri i denjë Lleshaj përballë intifadës së padenjë të disa gazetarëve

Albert P. Nikolla

 

Ndër thuajse tre dhjetëvjeçarë të paskomunizmit nuk besoj të ketë pasur një orkestrim gazetaresk kaq të detajuar kundër një ministri siç po ndodh kohët e fundit me Ministrin e denjë Lleshaj! Me plot gojën duhet thënë se Ministri Lleshaj ka sjellë një kthesë kulturore në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Pa mohuar asnjë punë të suksesshme të pararendësve të tij, Lleshaj duket qartë se e ka orientuar punën e Ministrisë në një shpërfaqje të re dinjiteti dhe qasje njerëzore që e afron policinë dhe ruajtjen e rendit me qytetarët. Mirëpo ky kapërcim cilësor politik e administrativ ka krijuar probleme te grupi i kundërshtisë, i cili duhet të aktivizojë patjetër makinerinë e përbaltjes, sepse çdo sukses i qeverisë i shkakton shqetësim. Dhe këtu llon orkestrimi mediatik me sulmet kaq të shpeshta e të ashpra, sikur të kishim të bënim me një shpalosje të intifadës së gurëve. Emërimi i Lleshajt në këtë Ministri më është dukur si një gjetje kulturore e politike mjaft e goditur nga Kryeministri Rama, sepse shpeshherë rendi konceptohet si përdorim i fortë i dhunës. Rendi duhet të ruhet, por pa rënë kurrë në tundimin “që të bëjë zap njerëzit”. Pra, nuk duhet të ringjallet koncepti i frikës, por i përgjegjësisë së çdo qytetari për të respektuar ligjin. Për këtë arsye, në drejtimin e kësaj Ministrie ai e pa të udhës të vinte një gurë lartësisht profesionale dhe jo një nga “të fortët”. “Të fortët” janë rrezik për policinë dhe demokracinë, dhe jo forcim i saj. Është krejt e dukshme se në ushtrimin e detyrës së tij Lleshaj po dëshmon një dinjitet prej shtetari të vërtetë, pa rënë në kurthin e gjuajtjes me baltë të disa “profesionistëve” të gazetarisë që përdorin gjysmë të vërtetat e lajmeve.

Gjysmë të vërtetat janë djallëzore, sepse kanë brenda elemente të së vërtetës dhe mashtrimin e bëjnë më të stërholluar, duke krijuar për rrjedhojë imazhe të rreme në publik. Këtë gazetarë tendenciozë, të cilët janë një pakicë kundrejt shumicës dinjitoze të gazetarëve të Shqipërisë që punojnë mes shumë sakricash, janë të habitur me punën e Ministrit Lleshaj dhe e shohin produktin e tij politik si një thagmë, si të papritur dhe nuk dinë ç’të bëjnë! Ai kriminel nuk është, i lidhur me banditët jo, i përfolur për korrupsion jo e jo! Atëherë duhet të shpikin “servilizmin” ndaj Kryeministrit, a thua se një ministër duhet të jetë në luftë me kryeministrin e qeverisë ku bën pjesë. Duhet të shpikin “çudinë” e madhe se policia po përdor dhunë!!!

Policia e shtetit ekziston antropologjikisht dhe institucionalisht për të përdorur dhunën në rast nevoje. Polici duhet të ruajë sigurinë dhe shtetin kundër keqbërësve dhe shkelësve të ligjit nëpërmjet forcës dhe dhunës. Natyrisht i referohem dhunës përpjesëtimore dhe besoj se përdorimi i forcës së policisë në këta muaj ka qenë i denjë, jo fyes dhe përpjesëtimor, me qëllim ruajtjen e dinjitetit të çdo qytetari, qoftë ky edhe shkelës i ligjit. Duhet të shpikin faktin se po ndodhin shumë ngjarje kriminale të papara asnjëherë më parë për nga intensiteti dhe tronditja. Edhe kjo është një gjysmë e vërtetë, sepse vjedhje bankash kanë ndodhur vazhdimisht në Shqipëri dhe ndodhin mjaft shpesh edhe në Europë e më gjerë. , parë në dy aspekte. I pari ka të bëjë me faktin se Ministria që ai drejton po përballet kohët e fundit me një situatë articiale intensive rrëmujash të krijuar nga opozita e dalë jashtë Kuvendit dhe është e natyrshme që ai të jetë në syrin e ciklonit mediatik!

Por menaxhimi dinjitoz i situatave të krijuara nga protestat e ka egërsuar më shumë opozitën, sepse rrëmuja e shumëdëshiruar prej tyre nuk po krijon kaos të përgjithshëm dhe populli nuk e do rënien e shtetit. Togfjalëshi “rënia e shtetit” është përditë në gojën e drejtuesve të opozitës. Ky fakt dëshmon papërgjegjshmëri totale përballë thirrjes së përbrendshme njerëzore të të bërit politikë. Politikë (nga greqishtja politicos) do të thotë përkujdesje ndaj komunitetit, qytetit, shtetit dhe jo përdhosje e tyre.

Kjo është antipolitika e opozitës e cila tashmë nuk mund të ketë sukses, sepse qytetarët shqiptarë po dëshmojnë një pjekje demokratike përherë e më të thellë dhe kuptojnëmjaft mirë se kush e do shtetin e kush është kundër tij. Aspekti i dytë ka të bëjë me sensin e përgjegjësisë së disa gazetarëve që sulmojnë pa pikë përgjegjësie duke u bazuar në gjysmë të vërtetat që përmenda më lart. Sensi i shtetit dhe i së mirës së përbashkët kalon nëpërmjet secilit prej nesh me një përgjegjësi të shkallëzuar, sipas detyrës që ushtrojmë.

Sigurisht, kush është në krye të shtetit ka përgjegjësi më të madhe, por pa përgjegjësi nuk është askush, as punëtori i thjeshtë dhe as ai që kërkon lëmoshë gjithë ditën. Por përgjegjësisë personale, sado të vogël në dukje, nuk mund t’i shmangemi dhe, për më tepër, as gjykimit të historisë për secilin prej nesh. Në këtë frymë do të theksoja se përgjegjësia e gazetarit është e dyshtë, sepse ka të bëjë me veprimin e tij konkret dhe me ndikimin që ka tek lexuesit e tij, duke ndikuar në formësimin e një mendimi të gabuar, pasojë e maskimit të së vërtetës për qëllime të mbrapshta.  që krijojnë mendim të gabuar kur maskohet e vërteta.

Sidoqoftë mendoj se lipset një analizë më e thellë e sulmeve ndaj Ministrit Lleshaj.

Duhet “intifadë” ndaj një ministri të pashpirt

Ilir Nikolla

Kur dhuna s’ka të sosur dhe policia ka kapërcyer çdo kufi të proporcionalitetit në sjelljen e saj, Sandër Lleshit i duhet mbrojtje e veçantë publike, në mënyrë që të dalë i patrazuar nga ky moment i madh shpërdorimi ku është përfshirë. Dhe alibinë po përpiqet t’ja furnizojë profesor Albert Nikolla, i cili shpalli tre ditë më parë (mbani mend, në vigjilje të dhunës masive të policisë në protestën e së shtunës), se Sandër Lleshi sulmohet se “ka sjellë një kthesë kulturore në drejtimin e Ministrisë së Brendshme” dhe se ndaj tij, janë një orkestër gazetarësh që për motive politike e të pushtetit po luajnë “një intifadë” kundër tij.

Mbrojtja e veçantë ndaj Lleshit s’mund të kërkohet tek profili i tij politik, as tek karriera ushtarake e akademike, prandaj edhe Albert Nikolla ka tentuar të mbrojë veglën e vërtetë të verbër të Edi Ramës, në rrafshin krahinor e religjioz. Për ata që s’e dinë, Intifada është literalisht fjala arabe që shenjon “rizgjimin e ndërgjegjes arabe kundër pushtimit izraelit”, kurse në sensin konkret shenjon lëvizjen e rezistencës që palestinezët dhe popullsitë arabe prej 1987-s po mbajnë në këmbë kundër pranisë izraelite në Lindjen e Mesme. Nuk besoj se Albert Nikolla e gjen krahasimin e sulmeve ndaj Sandër Lleshajt në aspektin e nacionalitetit, se atëhere me Albert Nikollën do të kishte punë gjykata dhe jo opinioni publik.

Duke e marrë të mirëqenë këtë fakt, pra se Sandër Lleshi është shqiptar si ne të tjerët, përdorimi i termit “intifadë” bëhet për t’i ngritur ish-ushtarakut koracën e katolikut dhe të mirditorit.

E në fakt, nuk është hera e parë që përdoret kjo lojë e poshtër. Edhe kur erdhi emërimi në postin e ministrit, këshilltari i kryeministrit Rama, që fati e deshte të ishte njëkohësisht edhe kryetar i Bordit të Aviacionit Civil (një gjeneral edhe me spaleta që ruante civilisht edhe hapësirën tonë ajrore), shpërndau në eter mbrojtjen se sulmet i vinin për motive krahinore e fetare dhe shqiptoi frazën e turpshme “mirditor lind, të behesh s’ke shans”. Tani që ndaj Sandër Lleshit, media po flet për Llesh Kimikun apo për “Ali Komikun e Ramës”, në skenë del “intifada”. Duhet të marrë fund kjo mbrojtje. Sandër Lleshi nuk mund të qendrojë asnjë minutë më në detyrë, meqenëse na u pretendoka se mirditorëve u takojnë kuota, si minorancë religjioze apo krahinore. Asnjëherë në shtetin laik, asnjë zonë etnografike s’ka kërkuar përfaqësim me kuota. Do të ishte e turpshme të mendonim se politikanë të lartë katolikë gjatë këtyre 30 viteve kanë qenë në krye të punëve të shtetit për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Vetë këta politikanë të lartë duhet të ndihen të fyer kur shohin se si një ushtarak, për karrierën profesionale të të cilit nuk dimë fort bëma, kapet me thonj e me dhëmbë pas postit të ministrit të brendshëm, veç për të zgjatur shërbimin e verbër ndaj shefit në panik, dhe kërkon mbrojtje me kuota si katolik apo mirditor.

Dhe këtë mbrojtje me terminologji ndërkombëtare të mbushur me konflikt fetar e kombësish, Sandër Lleshaj e shoqëron me justifikimin se s’është karrierist e s’e ka dashur postin. Atehere, kur punët janë kështu, “delja e Perëndisë” nuk ndjen aspak dhimbje për gazin helmues që hidhet mbi popullin e vet, e të distancohet, duke mos e mbajtur mbi shpinë këtë sakrilegj? Fakti është se ai nuk ndjeka në fakt dhe shërbimi ndaj shef Ramës është shumë më i rëndësishëm sesa brejtja e ndërgjegjes së një katoliku që thonë se shkon çdo të diel në meshë dhe urdhëron hedhjen e gazit helmues çdo të enjte a të shtunë mbi bashkëkombasit e vet.

Nuk ka pse të kompleksohemi nga sjellja prej minoritari fetar e krahinor e Sandër Lleshit. Asgjë s’e justifikon mungesën e tij të përgjegjshmërisë dhe në fakt, njëfarë grade më të lartë turpërimi e marrin mirditorët (e katolikët) kur shohin se një përfaqësues i tyre sillet në mënyrë kaq të pashpirt. Ministri nuk meriton mbrojtje si minoritar fetar e krahinor, përkundrazi, meriton një “intifadë” më të fortë bash prej këtyre komuniteteve, të cilat më së paku s’po i nderon. Merret me mend se çështjet e pendimit janë çështje të Kishës, por një pendesë publike do na lehtësonte të gjithëve, se do kuptonim se ministri ka shpirt, por ka më të fortë ndjenjën e shërbesës ndaj shefit.

Kjo s’po ndodh, prandaj opinioni publik është i interesuar të dijë edhe nëse sponsorët publikë të ministrit të brendshëm ndër vite ndaj të njëjtin mendim me Lleshin, për sjelljet e tij të fundit, përdorimin e gazit si armë policimi dhe gjuhën raciste që ai përdor ndaj opozitës që përfaqëson gjysmën e popullsisë. Me shpresë se sponsorët do t’i tërheqin qendrimet e tyre, “intifada” e pretenduar duhet të dëgjohet fuqishëm. Sa më shpejt të zbulojmë ku ministri zbulon shpirtin e ndjen turpërimit, aq më shpejt shpëtojnë edhe komunitetet që ai thotë se përfaqëson nga sikleti që ndjejnë përditë kur shohin “delen e Perëndisë” të shndërrohet në shërbëtor të Xhebrahilit.

 

 

 

 

Të fundit