Flash News

KRYESORE

Ish-ambasadori i OKB: Rama është pjesë e planit të fshehtë  të Putin dhe Erdogan për ndarjen e Kosovës

Diplomati Agim Nesho deklaron se kryeministri Edi Rama është pjesë e projektit sekret të Rusisë dhe Turqisë për ndarjen e kufijve të Kosovës dhe Serbisë dhe se këtë e bën për famë dhe për pushtetin e tij të gjatë.

Në një intervistë për gazetën ‘Telegraf’, ish-ambasadori i OKB-së ai flet edhe për mosreagimin e Ministrisë tonë të Jashtme për deklaratat e kryeministrit Zaev për planin sekret të Rusisë dhe Turqisë të ndarjes së kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kryeministri Rama është pjesë e projektit dhe këtë gjë ai e ka pranuar publikisht. Ai nuk është nacionalist dhe nuk ka qenë asnjëherë i tillë nga formimi dhe jeta e tij prej artisti. Ajo që e ka bashkuar në këtë projekt është vetëm fama dhe pushteti i gjatë. Këtë pjesë të karakterit të tij kanë eksploruar ideatorët e skenarit duke mundësuar fillimisht miqësinë e tij me Vuçiç. Kanë qenë këshilltarët ‘multi-funksionalë’ që e kanë futur në këtë skemë. Konsumimi nga pushteti si dhe dështimi i projektit të Rilindjes e kanë shtyrë atë drejt një projekti pa rrugëdalje. Projekti Vuçiç-Thaçi-Rama mbahet akoma në këmbë nga shpresa se mos administrata Amerikane mund ta marrë në konsideratë pas 2020. Këto janë grahmat e fundit të lobistëve, të cilët shikojnë paratë, jo pasojat e një projekti. Sado të jenë dëshirat për një zgjidhje të re ballkanike, një ‘grand bargain’ që të kënaqë të gjitha fuqitë rajonale (Rusinë, Turqinë, etj), logjika të çon që politika e jashtme Amerikane nuk mund të humbasë diçka që tani e ka fituar dhe i përket historisë. Ky ishte edhe mesazhi i qartë i Presidentit Klinton në 20-vjetorin e pavarësisë së Kosovës”, thotë Nesho. 

Ai shton se realizimi i këtij skenari do të hapte “Kutinë e Pandorës” në Ballkan dhe do të krijonte një ndarje të re gjeopolitike ku influencat e Rusisë, Turqisë etj., do të shtriheshin.

“Turqia ka kohë që ka shprehur hapur interesat e saj në Ballkanin Perëndimor sidomos në Bosnjë, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, por nuk ka guxuar dhe nuk ka kapacitete të ndërhyjnë në një projekt perëndimor, ku vetë popujt e këtyre vendeve kanë vendosur të ardhmen e tyre. Këto influenca deri tani ajo është përpjekur t’i zgjerojë me blerjen e elitave politike të korruptuara, të cilat shprehin simpati për regjimet autokratike e liberale. Nga ana tjetër Turqia duhet të jetë futur si garanci dhe kundërpeshë për Serbinë, e cila si në shumë raste ka manipuluar elitat shqiptare për lavdi dhe pushtet. Plani B që kemi dëgjuar në deklaratat e presidentit Thaçi nuk është vetëm bashkimi me Shqipërinë por edhe garancia e Turqisë në variantin e ‘Qipros Veriore’”, tha diplomati.

Të fundit