Flash News

KRYESORE

Komunizmi drejt njohjes si fe në Rusi, Vladimir Putin: Ideologji e ngjashme me Krishtërimin. Lenini si shenjtorët e malit Athos

Për Vladimir Putin, ideologjia e komunizmit është e ngjashme me atë krishterimit dhe se eshtrat e Vladimir Leninit kanë të njejtën rëndësi si eshtrat e shenjtorëve ortodoksë në malin Athos në Greqi.

Në një dokumentar të publikuar nga televizioni ‘Russia 1’, Putin e konsideron komunizmin si një fe të krijuar pas shpalljes së ateizmit gjatë ekzistencës së Bashkimit Sovjetik.

“Do të them diçka që ndoshta dikush nuk do e pëlqejë, por kjo është se si unë e shoh. Mbi të gjitha, besimi është diçka që na ka shoqëruar gjithnjë, duke e bërë më të fuqishëm vendin tonë, njerëzit tanë, gjatë periudhave të vështira. Ka patur vite të ateizmit kur priftërinjtë u persekutuan, kishat u shkatërruan, por në të njëjtën kohë një fe e re u krijua. Ideologjia komuniste është shumë e ngjashme me Krishtërimin, në fakt, liria, barazia, vëllazëria, drejtësia, të gjitha janë në Shkrimet e Shenjta. Dhe kodi i ndërtimit të komunizmit? Është vetëm një fragment i Biblës”

Putin shkoi më tej kur krahasoi vendosjen e eshtrave të liderit të revolucionit, Valdimir Lenin, në mausoleum, me eshtrat e shenjtorëve ortodoksë në malin Athos në Greqi.

“Shikoni, Lenini është futur në një mausoleum. Si qenka kjo ndryshe nga eshtrat e shenjtorëve ortodoks? Kur ata thonë se nuk ekziston një traditë e tillë në Krishtërim, atëherë shkoni në Athos dhe shikoni, atje janë eshtrat e shenjtorëve, edhe ne kemi këtu eshtra të shenjtorëve”, ka deklaruar Putin.

Fjalët e Putin janë vlerësuar maksimalisht nga liderët e Partisë Komuniste në Rusi.

Të fundit