Flash News

Kosova

Kosova do të aplikojë në Këshillin e Evropës, çfarë përfiton nga anëtarësimi

Kosova do të aplikojë në Këshillin e Evropës,

Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Ky institucion i cili është themeluar në vitin 1949, ka seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e këtij organizmi, ku kërkon të aderojë edhe Kosova.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut.

Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Shtetasit e Kosovës do të mund t’i drejtoheshin këtij institucioni nëse do të mendonin se u janë shkelur të drejtat e tyre nga shteti i Kosovës apo cilido shtet anëtar i Këshillit.

Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

 

Të fundit