Flash News

E-TJERA

Qeveria miraton procedura të reja për deklarimin e vendbanimit në e-Albania

Qeveria miraton procedura të reja për deklarimin e vendbanimit në

Qeveria ka miratuar një vendim të ri që përcakton mënyrën e re të deklarimit, ndryshimit dhe saktësimit të vendbanimit apo vendqëndrimit të qytetarëve perms portalit e-Albania.

Sipas vendimit, qytetarët që duan të deklarojnë ose ndryshojnë adresën e banimit duhet të ngarkojnë dokumente që vërtetojnë adresën, si kontratë qiraje, pronësie apo huadhënie banese.

Nëse dikush kërkon të regjistrohet në një familje tjetër, kryefamiljari duhet të japë miratim online. Adresa e banimit duhet të jetë e njëjtë për të gjithë anëtarët e familjes dhe të përputhet me standardet ligjore të adresimit.

Rregulla specifike parashikohen edhe për të burgosurit dhe personat që qëndrojnë në institucione shëndetësore për më shumë se tre muaj. Këto institucione kanë detyrimin të njoftojnë gjendjen civile brenda 48 orëve pas përmbushjes së këtij afati, ndërsa pas daljes së tyre, njoftimi duhet të bëhet brenda 5 ditëve.

Gjithashtu, për çdo mospërputhje në adresat e familjarëve apo mangësi në dokumentacion, gjendja civile do të njoftojë qytetarët për përmirësim brenda afateve të caktuara. Në disa raste, nëpunësit mund të korrigjojnë vetë të dhënat pa kërkuar aplikim nga qytetarët.

V E N D I M

PËR

 PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË PARAQITJES SË KËRKESËS,  TË DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM, TË RREGULLAVE PËR DEKLARIMIN DHE NDRYSHIMIN E VENDBANIMIT OSE TË VENDQËNDRIMIT TË SHTETASVE, SI DHE PËR SHTETASIT NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 14, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar                          “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.

2. Shtetasi, i cili kërkon të banojë në një familje ekzistuese, paraqet kërkesën në rrugë elektronike (on-line), nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në portalin qeveritar “e-Albania”, duke respektuar standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.

3. Dokumentet e ngarkuara nga shtetasi në shërbimin elektronik në portalin qeveritar “e-Albania” ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

4. Deklarimi, ndryshimi ose saktësimi i vendbanimit, me kërkesë të kryefamiljarit, pasqyrohet njëkohësisht për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.

5. Anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të ndryshojë vendbanimin, më parë duhet të kryejë procedurën e veçimit nga familja.

6. Të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.

7. Shtetasi ka detyrimin të deklarojë vendqëndrimin e tij, përveç rasteve të parashikuara në pikën 8 të këtij vendimi.

8. Për shtetasit, që kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale apo qëndrojnë në institucionet e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor për më shumë se 3 (tre) muaj dhe shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucione shëndetësore për kurim mjekësor afatgjatë dhe kur qëndrimi në këto institucione zgjat më shumë se 3 (tre) muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga plotësimi i afatit të mësipërm, pranë zyrës së gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial institucionin përkatës, listën emërore të tyre, e cila duhet të përmbajë emrin, mbiemrin dhe numrin personal.

9. Kur përfundon qëndrimi i shtetasve në një nga institucionet e përcaktuara në pikën 8 të këtij vendimi, institucioni përkatës njofton zyrën e gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial lidhur me këtë fakt, brenda 5 (pesë) ditëve.

10. Shkëmbimi i të dhënave, sipas pikave 8 dhe 9 të këtij vendimi, kryhet me ndërveprim nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit.

11. Në rastet kur konstatohet se anëtarët e së njëjtës familje kanë adresë vendbanimi të ndryshme nga njëri-tjetri, nëpunësi duhet të kryejë saktësimin e të dhënave të vendbanimit.

12. Me ndryshimin e vendbanimit të shtetasve, nga zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative kryhen përditësimet e përbërësve të tjerë të gjendjes civile, si elementet e adresës së vendbanimit dhe numri i votimit.

13 Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se ka mangësi në dokumentacion për deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit, njoftojnë brenda 24 (njëzet e katër) orëve shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar                    “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.

 

14. Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se adresa e shtetasit nuk përmban të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë, njoftojnë, brenda 24 (njëzet e katër) orëve, shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.

15. Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, kur konstatojnë element të pasaktë të adresës, që mund të rregullohet prej tyre, e saktësojnë këtë element kryesisht, pa qenë nevoja për aplikim nga ana e shtetasit.

 16. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit apo zyra që mbulon shtetësinë dhe refugjatët njofton shërbimin e gjendjes civile për çdo akt që krijon, shuan apo ndryshon të drejta lidhur me vendqëndrimin e shtetasve të huaj me leje qëndrimi, të shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose të mbrojtjes plotësuese, si dhe të personave pa shtetësi.

17. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, pas marrjes së dokumentacionit dhe të kërkesës nga shtetasit apo nga institucionet që e kanë këtë detyrim ligjor, bën deklarimin ose ndryshimin e adresës së shtetasit të huaj në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes civile, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për të huajt.

18. Vendimi nr.1243, datë 11.12.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumenteve, që duhen të paraqesin shtetasit, e të procedurave që duhet të kryejnë zyrat e gjendjes civile, në bashki/njësi administrative dhe institucionet shtetërore të posaçme, për ndryshimet e vendbanimit/adresës së shtetasve”, të ndryshuar, shfuqizohet.

 

19. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Të fundit