Flash News

Kosova

Kurti fton serbët : Le ta bëjmë Urën e Ibrit simbol të normalizimit!

Kurti fton serbët : Le ta bëjmë Urën e Ibrit simbol të

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas protestës së sotme në Mitrovicën e Veriut kundër hapjes së urës së Ibrit.

Kurti i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në diskutimin e përbashkët, që organizon Komuna, ku do të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës.

Kurti, në një postim në Facebook shkruan se protesta e mbajtur sot në Mitrovicë të Veriut përfundoi pa asnjë incident.

“I falënderoj institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj. Protestat janë e drejtë demokratike të cilën e gëzojnë dhe mund ta ushtrojnë të gjithë qytetarët e Republikës sonë, pa dallim”, ka shkruar Kurti. 

“I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.

Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve. 

Të fundit