Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Kur gjithçka shkon keq në botë dhe këtu 'shkon vaj', ka diçka që nuk shkon
Alfred Lela
Serbia, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë regjistruar rastet e para me koronavirus dhe po marrin masa kundër përhapjes së Covid-19 që i ka shkaktuar mornica gjithë botës. Edhe Amerika, ku pas 11 shtatorit nuk hyn më as miza, është prekur. Washington Post raportonte sot pasdite për tre të prekur të tjerë në shtetin e Merilendit, shumë afër Washingon DC.
Kur gjithçka nuk shkon në botë dhe duket se gjithçka shkon mirë në Shqipëri, këtu ka diçka që nuk shkon, apo jo?
Sepse autoritetet shqiptare vazhdojnë të ngulmojnë se virusi nuk e ka prekur Shqipërinë, edhe pse në një pozicion të ekspozuar, duke qenë një portë e lehtë hyrje daljesh për Italinë dhe nga Italia. Rreth 12 fluturime nga fqinji përtej adriatikut ulen çdo ditë në aeroportin e Tiranës dhe sipas të gjitha raportimeve të deritashme nuk ka asnjë masë dhe asnjë kontroll diagnostifikues aty apo në pikat e tjera të hyrjes për ata që vijnë nga zonat e prekura italiane.
Kur Austria mbyll hekurudhën që e lidh me Italinë dhe vende të tjera kryejnë kontrolle të forta në pikat ku mbërrijnë italianë apo të ardhur nga Italia, të vetmet masa të marra nga autoritetet shqiptare janë konferencat dhe deklarata për shtyp, të cilat përsërisin ngushëllimin se Shqipëria nuk është prekur.
Ekspertët thonë se fazat e koronavirusit dhe përballjes me të janë 4: e para është marrja e masave për parandalimin ndërsa e katërta është lufta për ta kontrolluar dhe ulur impaktin, pasi të ketë kaluar në fazën e tretë, që është epidemia.
Në shqipëri nuk ka shenja të ndërmarrjes së hapave të fazës së parë, përvec ironisë antibakteriale të kryeministrit, kërcënimit të ministres së Arsimit për ekipin e një shkolle private që vendosi mbylljen e dyerve nga frika e prekjes së fëmijëve, daljet e zyrtarëve të Shëndetësisë që thonë se janë testuar aq vetë sa në Itali kanë vdekur ndërkohë (asnjë nuk ka rezultuar bartës), apo nuskat e memeve të shumta të cilat shpërndajnë eliksirin e humorit nëpërmjet pretendimit se është gjetur kura e virusit: rakia.
Ekziston pra rreziku që Shqipëria, ashtu siç kapërcen fazat e zhvillimit ekonomik dhe historik, nga feudalizmi në socializëm, të hedhë edhe hendekun e kësaj 'murtaje' duke i djegur etapat dhe kalur direkt në epidemi.
Nëse ndodh kjo do të jetë tepër vonë për të menduar për fazat 1 dhe 2 dhe po aq për fazën e katërt që është çrrënjosja. Sepse një epidemi në një vend me sistemin shëndetësor të Shqipërisë, me mjetet e pakta në dispozicion, me papërgjegjshmërinë tipike të individit, me mjekë sharlatanë dhe administratë mediokre, do ta shndërronte territorin në një hapësirë skizofrenie.
Si në absurd, historia e Shqipërisë është kthyer kokëposhtë: nga një vend ku nuk hynte dhe dilte askush, në një territor ku gjithçka e mirë arrin me vonesë dhe çdo gjë e keqe mbërrin e para. Por, jo kësaj here. Qeveria thotë se jemi të sigurt nga kjo e keqe.
Dhe qeveria është plot me burra të besueshëm.