Flash News

KRYESORE

Mami i showgirl imiton babin e Showtime

Mami i showgirl imiton babin e Showtime

Alfred Lela

“Nëse do mundesha, do ju thyeja gishtat ju gazetareve, do ju nxirrja syte, do ju shkurtoja gjuhen...".

Fjalia i përket një gruaje, e cila quhet Brunilda, dhe është e ëma e një shoe girl-i shqiptar. Reagimi i zonjës ka ardhur pas raportimit të një fakti, marrë nga mediat italiane, për arrestimin e një të riu shqiptar i dyshuar si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. I arrestuari, siç dyshohet se ka bërë trafik, dyshohet se ka bërë edhe dashuri.

I shfaqur në foto të ndryshme, në bare apo mjedise të tjera të kryeqytetit, show girl-i dhe Playboy kanë përfunduar nën etiketën e brishtë dhe farfuritësë 'të dashur'.  

E ëma e vajzës, ka reaguar me një gjuhë të ashpër dhe të papërshtatshme, duke zbuluar, më shumë se hidhërim me median, mërzitje të natyrshme me faktin se njeriu i afërt i së bijës ka rënë në pranga. Reagimi i zakonshëm që vjen prej një të papriture të pakëndshme dhe bllokuese.

Nuk ka shumë rëndësi, megjithatë, Brunilda në vetvete dhe as vetë show girl-i dhe playboy, sa ka rëndësi fenomeni që ky rast simbolizon.

Sepse çdo njeri, duke vepruar në vetë të parë, është në të gjitha rastet, duke shprehur edhe një simbolikë shoqërore, duke përfaqësuar rastin e vet në raste të tjerë, duke u vetëidentifikuar si pjesë e grupit. Kështu, edhe Brunilda na shfaqi fytyrën, aspak të këndshme, apo dhe dy pamundësi të individit për t'u parë sy më sy me ngjarjet.

Pamundësia  e parë është edhe një ngjashmëri. Siç mund të jetë, në fakt, edhe një rrjedhojë. Brunilda kishte huazuar shumë në verbin e saj prej gjuhës së dikujt tjetër. Kur tjetri është person me pushtet huaja është edhe më e pakundërshtueshme. Nuk është e vështirë të piketosh kryeministrin Rama si dikë me gjuhë inflamatore dhe të ndërkryer ndaj medias.

Kur diçka shkon keq, fajin e ka media; kur një pyetje zbulon një parehati, fajin e kanë gazetarët; kur ka skandale ministrash dhe raportime për drogën, gjithçka e nxin kazani mediatik. Gazetarët dhe media janë bërë një target i kollajtë, shpina e të cilëve mban çdo akuzë.

Edhe Brunilda e historisë tonë, te ky burim gjuhe i gjeti fjalët për të anatemuar mediat që morën faktin e një arrestimi, i bashkuan me një seri fotosh të së bijës dhe të arrestuarit, dhe prodhuan një lajm të tretë mbi dy lajme të mëparëshme.

Brunildën dhe reagimin e saj e përshkon edhe një pamundësi e dytë. Që lidhet me pranimin e faktit dhe ndërtimin e një raporti jokonfliktual me të. Nëse 'i dashuri' i vajzës është trafikant droge, nuk është faji as i së ëmës, as i së bijës.

Ndoshta, e vetmja këshillë në kësi rastesh është të kalohet në një dashuri tjetër. Me më pak shpenzime. Rrjedhimisht me më pak, deri në zero arrestime.

Në jetën personale, por sidomos atë publike, është jetike të pranuarit e përgjegjësisë. Mund të zgjidhet, sigurisht, kursi i kryeministrit që don ta fshehë lulen kundravajtëse të hashashit nën mozaikun e pseudongjarjeve, por kur njerëzit operojnë në sy të publikut i nështrohen edhe një rreziku jo të vogël.

Të kthyerit në qesharak.  

Të fundit