Flash News

KRYESORE

Me 3 akuza të rënda/ A e kaluan vettingun gjyqtarët që ‘lanë të lirë’ Saimir Tahirin? Ç’paralajmëroi Donald Lu para largimit

Vendimi i shumëpritur i gjykatës për Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri ka shkaktuar një ‘tërmet’ reagimesh dhe do të vazhdojë të komentohet gjatë në media.

Për Tahirin, trupi gjykues i përbërë nga Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, vendosi që ta dënojë me 5 vjet burg vetëm për akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’, dënim ky i reduktuar në 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Megjithatë, ish ministri pavarësisht dy viteve nën hetim dhe se Prokuroria kërkoi të dënohet me 12 vjet burg (8 vjet me gjykim të shkurtuar), nuk do të kalojë asnjë edhe një ditë të vetme në qeli, pasi sipas ligjit në fuqi, një dënim i tillë do t’i konvertohet në 3 vjet shërbim prove.

Tre veprat e rënda penale: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal u rrëzuan nga gjykata dhe e dënoi atë vetëm me akuzën ‘shpërdorim detyre’.

Vendimi i tre gjyqtarëve ka sjellë interpretime të ndryshme nga analistët dhe specilistë të fushës, duke përfshirë edhe ndikimin te çelja ose të negociatave të Shqipërisë, një muaj para se të jepet vendimi në 18 tetor.

Ajo që të bën përshtypje është fakti se tre gjyqtarët që dhanë verdiktin për Tahirin nuk e kanë kaluar ende procesin e vettingut, ashtu si një pjesë e kolegëve të tyre, shumë prej të cilëve, aktualisht jane jashtë sistemit të drejtësisë për shkak të parregullsive të konstatuar nga Komisionit i Pavarur i Kualifikimit.

Ky fakt ishte paralajmëruar një vit më parë nga ish ambasadori i SHBA, Donald Lu, një ndër zërave më të fortë të faktorit ndërkombëtar për arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’, megjithatë thirrja e tij duket se ra në vesh të shurdhët.

Kujtojmë se Lu, para largimit nga Shqipëria për shkak të përfundimit të mandatit të tij diplomatik në Tiranën zyrtare, deklaroi në emisionin  “Real Story”, në televizionin Vizion Plus se Tahiri duhet të gjykohet nga një gjykatë e SPAK dhe gjyqtarë që e kanë kaluar më parë vettingun.

“ Ajo që kam thënë dhe do e përsëris është se shumë shqiptarë, dhe unë, mendojmë se ka prova reale që i sheh në media çdo herë që del kjo çështje, për manipulim politik të çështjes. Qeveria e SHBA beson se kjo çështje është mjaftueshëm e rëndësishme sa meriton të vendoset në gjykatë nga një gjykatës që ka kaluar vetingun, sipas provave, dhe jo sipas presionit politik. Këtë kërkojmë. Mbështesim përpjekjet që kjo të shkojë përpara në mënyrë transparente. Z. Tahiri ishte ministër kur këto krime pretendohen të jenë kryer. Është logjike të mendohet se kjo çështje në fakt mund të jetë një nga të parat që do të gjykohet në një gjykatë të SPAK, nga gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar vetingun. Kjo është diçka që do ta mbështesnim fort”, deklaroi një vit më parë Lu.

Ardit Mustafaj është edhe pjesë e trupës që po shqyrton çështjen ndaj Klement Balilit, ashtu si edhe Flora Hajredinaj.

Kjo e fundit ka shqyrtuar dhe çështjen e ngritur ndaj Dritan Zaganit, për të cilin ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë”.

Kurse, Irena Gjoka është e njohur për vendimin e dhënë ndaj Dritan Dajtit, i cili vrau 4 policë në 2009-ën, dënimin e përjetshëm.

Nga ana tjetër, dy nga tre prokurorët që kërkuan 12 vjet burg për ish ministrin e kishin kaluar vettingun. Bëhet fjalë për Dritan Prençin dhe Vladimir Marën, ndërsa Arens Çela është në pritje.

Të fundit