Mori pjesë në ceremoninë e memorialit turk, Çollaku: Nuk kam dijeni për vendosjen, iu përgjigja ftesës së ambasadës

Ngritja e një memoriali në zemër të Tiranës për të nderuar viktimat e komplotit të 15 korrikut 2016 në Turqi ka ngjallur jo pak debate. I pranishëm në ceremoninë e përurimit organizuar nga ambasada turke ishte edhe anëtari i Kryesisë së PD, njëherësh kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme pranë PD.

I pyetur nga A2 CNN, Kreshnik Çollaku thotë se iu përgjigj pozitivisht ftesës së ambasadës turke, si përfaqësues i PD.

“Nuk kam dijeni si është zhvilluar procedura për vendosjen e memorialit dhe përgjigjia duhet marrë nga institucioni i bashkisë ose Ambasadës Turke. PD si të gjitha vendet demokratike në botë, nga ShBA e BE, e kanë dënuar grushtin e shtetit në Turqi. Marrja e pushtetit përmes grushtit shtetit nuk është vetëm çështje e politikës së brendshme në Turqi, por një çështje e parimeve demokratike që mbështeten në konventa ndërkombëtare, ku Shqipëria bën pjesë. Në marrëdhëniet ndërshtetërore secila palë respekton palën tjetër në mënyrë reciproke”-tha Çollaku.

Ditën e djeshme, që përkonte me festën e Kurban Bajramit kryebashkiaku Erion Veliaj u pyet lidhur me memorialin turk.

Duke dalë nga Komuniteti Mysliman, kryebashkiaku ka përdour frazën ‘më kanë thënë ‘ duke iu referuar memorialit, por duke ngulmuar se nuk duhet konsideruar tradhti, dhe as shkelje.

“Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Pushime të mbara të gjithëve dhe gëzuar festën”, tha Veliaj.