Flash News

KRYESORE

Një ditë pasi paraqiti letrat kredenciale te Meta, Yuri Kim takon ministrat e parë të qeverisë

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka zhvilluar sot takime me ministrat e qeverisë shqiptare, një ditë pasi paraqiti në presidencë letrat kredenciale.

Zyrtarja e lartë amerikane u takua sot me ministrin e Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj. Ky i fundit në një status në rrjetet sociale shkruan se në takim u diskutuan detaje mbi angazhimet e Shqipërisë për çeljen e negociatave, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në 2022.

“Sot pata nderin e rrallë të pres në një takim kortezie Ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, znj. Yuri Kim

Diskutuam hollësisht mbi angazhimet e Shqipërisë për çeljen e negociatave, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e ulëses jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit në 2022. Mirënjohës për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e brendshme dhe forcimin e

pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.

ShBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë”, shkruan Cakaj.

Po ashtu, Kim është takuar edhe me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“Ishte vërtet një kënaqësi që prita sot në takimin e saj të parë zyrtar, pas prezantimit të letrave të saj kredenciale, Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim. E lumtur që ashtu si në takimin tonë të parë në Pentagon, vitin që shkoi, kur Ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, ndamë të njëjtat vlerësime e konsiderata për nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes vendeve tona. Është fat për ne, që SHBA përfaqësohen në Shqipëri me një zonjë të kalibrit të Ambasadores Kim dhe jam optimiste që falë punës e angazhimit të saj, bashkëpunimi e partneriteti mes departamenteve tona të mbrojtjes do të vijojë e do të fuqizohet akoma më shumë, duke ndihmuar në modernizimin e FA dhe duke i mundësuar Shqipërisë të japë një kontribut gjithmonë e më të madh për sigurinë, stabilitetin e paqen krah për krah aleatëve tanë amerikanë.

Mirëseerdhe në Tiranë e dashur Yuri!”, shkruan ministrja.

Të fundit