Flash News

OP-ED

Nuk është e mundur të shkosh në Bruksel nëpërmjet Moskës

Nuk është e mundur të shkosh në Bruksel nëpërmjet

Vuk Drashkoviç / Gazeta Danas

 

Që nga rrëzimi nga pushteti i Sllobodan Millosheviçit, qëllimi programor i të gjitha qeverive në Serbi ka qenë antarwsimi i shtetit në Bashkimin Europian.

Dhe ku arritëm? Gjithnjë duke thënë se po udhëtojmë drejt Brukselit, udhëtuam në drejtim të kundërt. BE-ja është larg, ndërsa në Unionin Euroaziatik do të hyjmë që në muajin tetor.

Na thonë se është sukses, sepse në tregun e Unionit Euroaziatik jetojnë 180 milion njerëz.

A është vërtetë kështu? Me antarwsimin në Unionin Euroaziatik (Rusia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Armenia), Serbia rrezikon të humbasë një treg prej 500 milion banorësh, në të cilin eksporton afro 70% të gjithçkaje që eksporton, ndërsa në shtetet e Unionit Euroaziatik eksporton dymbëdhjetë herë mëpak. Serbia rrezikon të mbetet edhe pa miliarda euro donacione, subvencione dhe ndihmë pa kthim nga fondet për antarwsim të BE-së.

Rrezikohet edhe ndarja civilizuese me qytetarët serbë që jetojnë në Perëndim. Në vendet e BE-së ka rreth 2 milion serbë, po kaq edhe në SHBA, Kanada dhe Australi. Vetëm në dhjetë vitet e fundit, nga Serbia janë larguar më shumë se 700.000 njerëz, kryesisht të arsimuar dhe të rinj, në kërkim të një jete më të mirë. Të gjithë ata, si dhe miliona para tyre, kanë shkuar në Perëndim, pothuajse asnjë në Rusi, as në Kinë dhe as në Kirgistan. Serbia rrezikon që, duke u flakur tej nga BE dhe Perëndimi, të shndërrohet në një Venezuelë ballkanike, ndoshta edhe Siri.

Numrat tregojnë se Serbia eksporton më shumë në Bosnjë e Hercegovinë, sesa në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Kazakistan, Kirgistan dhe Armeni marrë së bashku. Vendet e BE-së kanë dhënë donacione, dhuruar, Serbisë më shumë se tre miliard euro, ndërsa SHBA-të një miliard. Populli serb nuk e di një gjë të tillë. U beson mediave: nga Perëndimi na vijnë kërcënime dhe shantazhime, ndërsa Rusia dhe Kina janë dhuruesit dhe mirëbërësit tanë, megjithëse dhurata nga këto shtete nuk ka.

Faktet janë të pakundështueshme. Aq më keq për faktet, thoshte Stalini, ndërsa ndjekësit e këtij lloj autizmi dhe njëmendimëshi, e edukojnë opinionin publik të Serbisë, mund të themi se në kohën pas Millosheviçit më keq sesa në kohën e qeverisjes së tij. Në vitet nëntëdhejtë të shekullit të kaluar, kur vranë dhe shkatërruan atë shtet të madh, kundër tyre luftonte çdo ditëSerbia e rezistencës ndaj se keqes, damkosi dhe demaskoi edhe krimet edhe kriminelët, por edhe ideologët e tyre. Këtë Serbi nuk mundën ta qetësonin, as me heshtje dhe as me vrasje, as me tortura dhe as me burgje, as edhe me akuza për tradhëti kombëtare.

Që prej tetëmbëdhjetë vitesh, që nga shpallja e „rilindjes demokratike“ të Serbisë dhe kthimit të saj drejt „integrimeve euroatlantike“ (drejt BE-së dhe NATO-s), katedrat e edukimit të popullit që punojnë kundër këtyre synimeve i mbajnë në dorë shkaktarët e dështimit dhe turpit më të madh të popullit tonë. Udbashët, mafiozët e luftës, plaçkitësit dhe grabitësit, të gjykuarit e Hagës për krime lufte, ideologët antiperëndimorë, analistët dhe pseudoshkencëtarët, xhihadistët ortodoksë, magjistarët dhe sharlatanët  janë të pranishëm përditë nëpër ekranet e televizioneve, u janë hapur katërsh dyert e mediave të shkruara me tirazhin më të madh, publikojnë libra dhe kujtime lufte mbi komplotet e Europës dhe Amerikës kundër Serbisë, mbajnë leksione nëpër fshatra dhe qyteza, publikojnë nëpër rrjetet shoqërore.... Dhe ja ku jami tani. Jo në Unionin Europian, por në atë Euroaziatik!!

Po si janë punët në Rusi? Sipas statistikave zyrtare, nga Rusia, në dhjetëvjeçarët e fundit, kanë emigruar rreth pesë milion njerëz. Organizatat joqeveritare në Moskë shprehen se ky numër më së paku është dy herë më i madh. Aleksej Kudini, ish-ministri i Financave, pohon se nga Rusia janë larguar 18 milion njerëz! Ana Pollakova, kryetarja e Këshillit Atlantik, paralajmëron dramatikisht se është duke ndodhur një „eksod i vërtetë i rusëve“.

Nga vendi janë larguar edhe rreth 800.000 shkencëtarë. Në vendet e BE-së kërkojnë azil në mënyrën më masive refugjatë nga Siria dhe rusët që braktisin Rusinë. Edhe Moska zyrtare nuk e fsheh këtë „katastrofë demografike“. Por, për të fandaksurit tonë antiperëndimorë, Vladimir Putini është Rusia vetë. Putini ka urdhëruar, Putini ka kërcënuar, Putini ka vendosur...Përditë, fushata antieuropiane dhe antiperëndimore e paraqet presidentin rus si shpatën dhe mburojën e vet. Sikur të ishte në atë kohë në krye të Rusisë Putini, nuk do të kishte patur as „Olluja“ dhe as „Bljesak“ (aksione të ushtrisë kroate kundër të rebeluarve serbë në Kroaci. Shën. i përkth), do ta kishim mundur NATO-n (në 1999), do të kishim spastruar Kosovën nga shqiptarët dhe do të kishim shpallur kufijtë e Serbisë deri aty ko do të deshnim. Këtë dëgjon populli në Serbi që prej tetëmbëdhjetë vitesh. Serbia është sëmurur nga fantazi të tilla.

Dhe Rusia, shteti më i madh në botë, më i pasuri për nga pasuritë natyrore që ia ka dhënë Zoti, vendi i popullit më të madh europian me dije dhe shpirt të madh, zotëron gjithçka që të jetë magnet që tërheq dhe fuqi globale në botë. Por, për fat të keq, Rusia nuk është e këtillë. Perëndimi është më i fuqishëm. Perëndimi fiton në frontin e lirive njerëzore, standardit të jetës, teknologjisë, garimit të ideve, zëvendësueshmërisë dhe kontrollit të çdo lloj pushteti. Nevoja njerëzore, për të qenë të lirë, për të punuar e fituar, për të mos u stepur para shtetit dhe ideologëve dhe inkuizitorëve të tij të gjithfarshëm, tërheq drejt Perëndimit njerëz nga e tërë bota. Nga Perëndimi nuk ikin karvane me refugjatë. Ndërsa shtetet nga të cilët largohen njerëzit, nuk mund t’i shpëtojë nga dështimi i paevitueshëm as armët, as shërbimet e fshehta, as shtypja, dhe as proagandistët të dalë nga kapota e Gebelsit dhe e Berias.

Derisa të jenë Rusia dhe Kina, Kosova, që në fakt e kemi humbur, nuk është e humbur! Serbia tërhiqet për nga Azia pikërisht dhe veçanërisht nëpërmjet këtij zinxhiri.

Është momenti i fundit që Serbia të dalë nga labirinthi i vetëgënjimit, gënjeshtrave dhe propagandës. Dhe të nisë trenin e saj europian i cili, si i mallkuar dhe i gozhduar, ka tetëmbëdhjetë vite që qëndron në stacionin e Beogradit. Kavot e Brukselit e tërheqin me donacione, me subvencione, me pasaporta pa vizë, pse jo edhe me lëvdata, por treni ndalet sepse kavot nga Lindja e tërheqin nga prapa. Mbahet gjallë iluzioni i lëvizjes së Serbisë drejt Perëndimit, por Perëndimi po bëhet gjithnjë e më i largët.

Nuk mund të shkohet në Bruksel nëpërmjet Moskës, as në Perëndim nëpërmjet Lindjes.

*Autori është shkrimtar, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, dhe Kryetar i partisë Lëvizja për Rilindjen serbe.

**Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

Të fundit