Flash News

KRYESORE

“Nuk ia bëra një telefonatë”, miku i Moikom Zeqos rrëfen pengun dhe i bën thirrje autoriteteve: Të kujdeseni tani të paktën

Pedagogu i njohur Erion Kristo e ka njohur në një spektër më të gjerë studiuesin dhe shkrimtarin e mirënjohur Moikom Zeqo, i cili u nda nga jeta mëngjesin e sotëm pas një sëmundjeje të rëndë.

Ai rrëfen jo vetëm kohën e vështirë kur u desh të punon bashkë pas vitit 1997, por edhe pengun që i mbeti me ndarjen e tij nga jeta në moshën 71-vjeçare, një telefonatë të fundit.

“Sot u zgjova me një lajm të hidhur. Miku im i vjetër Moikom Zeqo ndërroi jetë. Dhimbje e madhe kjo humbje e njërit prej njerëzve më eruditë të shqiptarëve. Njohës i letërsisë, filozofisë, historisë, pikturës, albanologjisë, ai ishte dhe lëvrues i këtyre lëmive. Autor i dhjetëra librave. Ngushëllime për familjen dhe atdhetarët, sepse pa dyshim që Moikomi ishte një i tillë.

E kam njohur Moikomin qysh fëmijë, kur lexova librin e tij me Guraksin. Legjendat ilire ishin të paharrueshme.

Më pas u takova me të dhe familjen e tij në Romë. Libri që më dhuroi mbi politikën dhe fjalimet e tij ishte ndriçues. Aty kuptova lëmshin politik shqiptar që nuk u shtjellua kurrë. Punuam bashkë pas '97 së famshme. Ai ishte drejtor i Muzeut Historik. Zyra e tij ishte si vend pelegrinazhi për gjithë njerëzit që hynin e dilnin aty, sikur ishte stacion treni. Ata vinin nga të gjitha trevat shqiptare. Miqësia me Moikomin vijoi për vite me radhë. Më dhuroi libra pa fund. Isha në krahun e tij kur e sulmuan dhe jam krenar.

Por dhe ju e mbrojtët. Nuk është se Moikomët mbijnë në pemë. Do na dhembë ikja e tij, dhe jo vetëm familjes. Ai iku si gjysh i bukur dhe la një bibliotekë me vepra. Më erdhi shumë keq me veten, përse nuk ia bëra një telefonatë këto ditë. Ia kërkova numrin Lidës ta uroja për ditëlindjen. Thjesht doja ta mbaroja së lexuari veprën e tij të fundit. Duhej ta kisha marrë. Më mbeti peng tani. 71 vite janë pak, por ai i jetoi në maksimum.

Mbrojtja që tash së fundi i bëri figurës së Gjergj Kastriotit ishte e pashoq. Uroj që shteti që nuk u kujdes për të, të kujdeset të paktën tani. Nuk do jetë harxhim i madh. Nuk ka shumë Moikomë. Lamtumirë mik i dashur. Ngushëllime familjes dhe dashamirësve”, shkruan Kristo.

Të fundit