Flash News

OP-ED

A janë të rinjtë në krye të listave, një truk i Ramës?

A janë të rinjtë në krye të listave, një truk i

Alfred Lela

Edi Rama ka habitur, ndryshe nga rivali i tij, përherë konservator Basha, në përzgjedhjet për listat e kandidatëve.

Nëse shefi demokrat i është rikthyer ‘stabilitetit’, duke preferuar lista më politike, kreu socialist ka guxuar deri në eksperiment. Ai ka zhvendosur deri poshtë, në apandesitin e listave, ‘senatorët’ e partisë, duke ngjitur në majë ‘yje të rinj e të vegjël’, peshkuar në ujrat anonime të qarqeve. Një pjesë kanë hyrë nëpërmjet aplikacionit ‘Deputeti që duam.’ Të tjerët janë investime të krerëve të qarqeve.

Filozofia është e një njeriu: Edi Ramës.

Së pari, ai nuhati perceptimin negativ të listave të mëparshme, ku spikasnin elementë të nënbotës, me fije dyshimi për lidhje me grupe dhe qarqe që jetojnë përtej ligjit.

Ka dashur ta përmbysë këtë.

Së dyti, ai nuk mund të mos përpiqej të rrëzonte idenë e një gjëje të vjetër, që është tashmë PS e tij, tetë vjet në qeverisje. Një akuzë të tillë ia pat bërë Sali Berishës në 2013-ën. Në një mënyrë a tjetër, tani është ai ‘plaku Mere’, i dy mandateve dhe disa skandaleve.

Së treti, ai nuk mund të mos ushtronte atë që e mban ende në qarkullim; spektakolarizimi i politikës. Listat e tij, e keni vënë re këtë besoj, bënë më shumë bujë se të Bashës. Të lënët jashtë, u bënë menjëherë, dhe vazhdojnë të jenë, pjesë e debatit. (Ndërkohë, lista e rivalit të tij e ka mbështetur kokën në nënkrejsën e butë të gjumit, jashtë debatit mediatik).

Por, lineariteti i Bashës është shumë më pak i dëmshëm se sizmika e Ramës. Sepse, kryeministri mund të jetë duke luajtur një truk me listat, kandidatët dhe publikun. Me dy-tre lëvizje, ai mund të sigurohet se, jo ata që janë në krye të listës, por të tjerë më poshtë do të të hyjnë në Parlament. E dimë se mjafton një pëshpërimë e kryetarit që të braktiset numri 2, për shembull, e të votohet masivisht 31-i. Të votohet ky kandidat dhe jo një tjetër.

Kështu, emrat e rinj dhe të papërfshirë më parë, mund të jenë asgjë më shumë se një dredhi elektorale. Ai mund të bëjë fushatën si kryeministri i rinovuar, me njerëz dhe ide të reja dhe të kthehet pas 25 prillit me të njëjtin ekip të vjetër. ‘Plaku Mere’ në krye të një fisi të fandaksur.

Të fundit