Flash News

OPINEWS

Shpresa e PD-së për rikthimin e Trump-it

Shpresa e PD-së për rikthimin e Trump-it

Nga Eduard Zaloshnja

Rreth 2/3 e votuesve të Trump-it, sipas sondazheve në SHBA, mendojnë se atij iu vodh fitorja nga koalicioni Biden-Soros-Obama etj.etj. Dhe më shumë se 2/3 e votuesve republikanë besojnë se ai do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas katër vjetësh.

Rreth 2/3 e votuesve të PD-së, sipas një sondazhi që zhvillova para dy javësh, mendojnë se Berisha duhet të jetë pjesë e grupit parlamentar demokrat, pavarësisht se është shpallur person non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Dhe ma do mendja se shumica dërrmuese e tyre besojnë gjithashtu se Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Berisha, duke qenë një nuhatës i stërvitur i humorit të elektoratit të PD-së, ka krijuar narrativën që shpallja e tij person non-grata nga Departamenti i Shtetit Amerikan është një lëvizje konjukturale e nxitur nga Soros (miku  Ramës), pasi aleatët e tij ideologjikë erdhën në pushtet në SHBA. Kjo narrativë e Berishës duket se ka ngjitur tek njerëzit e tij në PD, si dhe tek elektorati i thjeshtë demokrat. Dhe pavarsisht se nuk thuhet hapur, lihet të kuptohet se sapo të rikthehet Trump apo një pasues i tij në Shtëpinë e Bardhë, statusi i personit non-grata do të zhbëhet.

Ndërkohë që një narrativë e tille mund ta mbajë me shpresë afatgjatë elektoratin e PD-së, ajo nuk i vjen në ndihmë kryetarit të saj, i cili ka një problem afatshkurtër. Në shtator, atij do ti duhet ose të propozojë përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së (siç ia ka kërkuar pothuaj publikisht ambasadorja amerikane), ose ta mbajë Berishën në grupin parlamentar (siç duan 2/3 e votuesve të PD-së).

Në skenarin e parë, Basha do të kishte përkrahjen e Uashingtonit, por do të mbetej me një parti të mpakur elektoralisht dhe parlamentarisht. Në skenarin e dytë, do të izolohej ndërkombtarisht dhe do mbetej me një elektorat e grup parlamentar kompakt, por që do të mbahej vetëm me shpresën e vakët se pas katër vjetesh do të rikthehet Trump apo një pasues i tij në Shtëpinë e Bardhë. (Mos të harrojmë se para katër vjetësh, përkundër pritshmërive, Bashën nuk e ndihmoi fare vajtja e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë).

I ndodhur aktualisht mes një Shihle e Karibde proverbiale, Basha duket i pavendosur. Deri me sot, ai nuk ka demonstruar ndonjëhere se ka karizmën dhe fuqinë oratorike për të ndryshuar trajektoren e opinionit të elektoratit, që ky i fundit ta mbështesë fort për vendime të vështira. Ai thjesht ka demonstruar se është një udhëheqës konjuktural, që thjesht pret rradhën të vijë në pushtet…

Të fundit